Presidenti liberian, Charles Taylor, ra dakord të largohet nga posti më 11 gusht, ndërsa luftimet u intensifikuan sot në kryeqytetin Monrovia.
Ky njoftim u dha pasi zoti Taylor u takua me të dërguar afrikano-perëndimorë për të diskutuar për dislokimin e paqeruajtësve në vend dhe për largimin e tij nga pushteti. Megjithatë, zoti Taylor nuk pranoi të thoshte se kur do të largohet nga Liberia e të shkojë në mërgim, siç kanë kërkuar të dërguarit afrikano-perëndimorë.
Zoti Taylor është shprehur se do të japë dorëheqjen dhe do të pranojë ofertën për strehim në Nigeri, por vetëm pas dislokimit të paqeruajtësve. Një ekip paqeruajtësish nigerianë është në plan në mbërrijë në Monrovia pasnesër.
Forcat qeveritare, besnike të zotit Taylor, përparuan nëpërmjet dy urave kryesore nën zjarrin e dendur të raketave e mortajave në një ofensivë, që synonte rimarrjen e zonës së portit të Monrovias e cila kontrollohet nga forcat kryengritëse.
Banorët thonë se zjarri i mitralozëve dhe pushkëve shpërtheu paradite pranë urave që të çojnë drejt qendrës së kryeqytetit, dhe se disa civilë u plagosën nga plumbat. Luftimet morën vrull gjithashtu në qytetin e dytë liberian për nga madhësia, Buchanan, ku thuhet se numri i viktimave në radhët e civilëve është i lartë.
//ze//