Lidhje

Bremer: procesi i rindërtimit në Irak përparon - 2003-08-03


Kryeadministratori amerikan për Irakun, Paul Bremer, tha se tani, pas varrimit të dy djemve të Sadam Huseinit, ai pret që diktatori i përmbysur të kapet apo të vritet shumë shpejt.

Zoti Bremer tha se është thjeshtë çështje kohe para se një irakian të marrë shpërblimin prej 25 milion dollarësh për informacionin që çon në kapjen apo vrasjen e Sadamit.

Djemtë e tij, Udej dhe Kusej, u vranë më 22 korrik, në një përpjekje me armë me forcat amerikane në qytetin Moslul. Informatori i paidentifikuar që drejtoi trupat amerikane në shtëpinë ku ndodheshin vëllezërit Huseini, ka marrë shpërblimin prej 30 milion dollarësh dhe është vendosur në një vend tjetër. Udej dhe Kusej u varrosën të shtunën në varrezën e familjes në afërsi të Tikritit.

Zoti Bremer pret që pasi të lahen hesapet me Sadam Huseinin, sulmet kundër forcave amerikane të intensifikohen për një kohë të shkurtër dhe më pas të pakësohen, ndërkohë që më shumë irakianë identifikojnë besnikët e Sadam Huseinit. Regjimit të vjetër, tha zoti Bremer, do t’i vijë fundi nga vetë irakianët që kërkojnë paqen.

Administratori tha se sulmet kundër forcave amerikane po kryhen nga terroristë të huaj dhe nga persona që ai i cilësoi si anëtarë të dëshpruar të Partisë së përmbysur Bath. Një ushtar amerikan u vra të shtunën dhe tre të tjerë u plagosën në një sulm në veri të Bagdadit. 53 ushtarë amerikanë janë vrarë nga zjarri i forcave të armikut që nga përfundimi i operacioneve luftarake në shkallë të gjerë tre muaj më parë.

Megjithë sulmet thuajse të përditëshme, zoti Bremer tha se procesi i rindërtimit po përparon, krahas transformimit ekonmomik dhe politik që ai thotë se do të çojë në krijimin e një Iraku të ri demokratik.//xh//

XS
SM
MD
LG