Lidhje

Vazhdojnë diskutimet rreth fatit të 20 ekstremistëve të arrestuar palestinezë - 2003-08-03


Izraeli dhe Autoriteti Palestinez po përpiqen të zgjidhin problemin e rreth 20 ekstremistëve, të cilët morën urdhër nga Jaser Arafati të dilnin nga kompleksi i tij i rrethuar në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor. Izraeli thotë se ekstremistët duhet të dërgohen në një burg palestinez në qytetin Xheriko. Shumë prej tyre janë anëtarë të grupit Brigadat Martire Al-Aksa dhe nuk pranojnë të largohen, megjithë urdhrin nga zoti Arafat.

Kreu i grupit Al-Aksa, Kamal Ghanam, thotë se organizata e tij do të rifillojë sulmet vetëvrasëse kundër Izraelit nëse ai detyrohet të largohet nga kompleksi. Mirëpo, mjetet izraelite të informimit thonë se zoti Ghanam ishte pas një përpjekjeje të zbuluar të kohëve të fundit për të dërguar në Izrael autorë shpërthimesh vetëvrasëse javën e kaluar.

Zyrtarë palestinezë thonë se forcat e tyre të sigurimit i arrestuan ekstremistët dhe i kanë mbyllur ata në një dhumë. Një zyrtar palestinez tha se ata do të transferohen nëpër burgje në Xheriko dhe Rripin Gazës.

Izraeli ka akuzuar prej kohësh kryetarin e Autoritetit Palestinez, Jaser Arafat, se strehon ekstremistë në kompleksin e tij. Trysnia për arrestimin e djeshëm u ushtrua pasi shërbimi izraelit i zbulimit mësoi se disa ekstremistë po planifikonin shpërthime vetëvrasëse nëpër qytete izraelite.

Një zyrtar i lartë palestinez, i cili kërkoi të mos identifikohej, tha se arrestimi i ekstremistëve ishte pjesë e një marrëveshjeje që mund të çojë në heqjen e kufizimeve të udhëtimit ndaj zotit Arafat, i cili mbahet i izoluar në kompleksin e tij tash 18 muaj.

Sipas kreut të grupit Birigadat Al-Aksa për qytetin Ramallah, Kamal Ghanam, arrestimi pasoi kundërshtimin nga ana e ekstremistëve për t’u transferuar në qytetin Xheriko.

Zoti Ghanam u tha gazetarëve se ekstremistët kundërshtuan megjithë thirrjen e zotit Arafat, i cili u tha atyre se bota kishte ndryshuar dhe se atij po i bëhej trysni për shkak të pranisë së tyre në kompleks.

Në përgjigje të trysnisë ndërkombëtare, zoti Arafat emroi një kryeministër prillin e kaluar, hera e parë që ai ndan pushtetin me një tjetër gjatë 35 vjetëve.

Kryeministri i ri, Mahmud Abas, e ka angazhuar Autoritetin Palestinez për zbatimin e planit ndërkombëtar të paqes që ka për synim sigurimin e paqes në rajon. Mirëpo, ka të ngjarë që shkelja e armëpushimit të arritur nga kryeministri Abas të bllokojë procesin e tanishëm të paqes.//xh//

XS
SM
MD
LG