Lidhje

Tom Ridge: Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten në shenjestër të terrorizmit - 2003-08-03


Sekretari amerikan i sigurisë kombëtare, Tom Ridge, thotë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten në shenjestër të terrorizmit, por po korrin suksese në synimet për një Amerikë më të sigurtë.

Sekretari Ridge i bëri këto komente sot për rrjetin telviziv NBC, në përgjigje të një audio-kasete, që pretendohet se ka zërin e një zyrtari të lartë të al-Qaidës, i cili paralajmëron se beteja e vërtetë kundër Shteteve të Bashkuara nuk ka filluar ende.

Zoti Ridge tha se departamenti i tij punon çdo ditë me të gjitha forcat për të parandaluar sulmet terroriste, por tha se ka mundësi që do të duhen vite që sistemi i nevojshëm për mbrojtjen e amerikanëve të ndërtohet plotësisht.

Dje, departamenti i tij shtoi kërkesat për viza-tranziti për udhëtarët e huaj pas njoftimeve se organizata terroriste, përfshirë al-Qaidën, mund të jenë duke përgatitur plane për rrëmbime avionësh apo shpërthime.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, John Ashcroft, tha se nuk është i sigurtë, nëse paralajmërimi i transmetuar nga televizioni al-Arabiya është real. Megjithatë, ai tha sot për rrjetin televiziv ABC se mesazhe të tilla tregojnë që lufta kundër terrorit ende vazhdon.

Zoti Ashcroft thotë se beson që Shtetet e Bashkuara kanë parandaluar më shumë se 100 sulme terroriste që nga sulmet e 11 shtatorit 2001.

//ze//

XS
SM
MD
LG