Lidhje

Shath: alternativa e vetme është dialogu politik - 2003-08-04


Grupi ekstremist palestinez, Brigadat Martire Al-Aksa, mori përgjegjësinë për sulmin afër Jeruzalemit që u krye vetëm pak orë pasi zyrtarët izraelitë dhe palestinezë nuk arritën të përfundonin një marrëveshje për armëpushim të përhershëm. Një grua izraelite dhe tre fëmijët e saj u plagosën në këtë incident.

Pak orë para sulmit, ministri i jashtëm izraelit, Silvan Shalom, hodhi poshtë një propozim për armëpushim të paraqitur nga homologu i tij palestinez, Nabil Shath. Ndërkohë, diplomati izraelit u bëri thirrje palestinezëve të shpërndajnë organizatat terroriste, hap i cili sipas disa analistëve mund të çojë në një luftë civile palestineze.

Ministri i jashtëm izraelit, Silvan Shalom, dhe homologu i tij palestinez, Nabil Shath, dolën nga takimi i tyre kokë më kokë me mesazhe pajtimi.

Zoti Shalom tha në një konferencë shtypi se mosmarrëveshjet midis dy palëve vazhdojnë. Mirëpo, në të njëjtën kohë, ai shtoi se bisedimet e tij me zotin Shath janë shenjë e qartë e pranimit se negociatat janë rruga e vetme për zgjidhjen e konfliktit izraelito palestinez:

“Ne po qendrojmë këtu së bashku jo pse pajtohemi për çdo çështje. Por, ne biem dakord për nevojën e bashkëpunimit për zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve dhe për t’iu përcjellur popujve tanë mesazhin e tolarancës e të pajtimit, pas gjakderdhjes dhe vuajtjeve prej shumë mujash dhe vitesh”.

Bisedimet midis shefave të diplomacisë së të dy palëve po zhvillohen në kuadër të planit të ri ndërkombëtar të paqes për Lindjen e Mesme.

Zoti Shath tha se siguria është një nga çështjet e rëndësishme që duhet zgjidhur para se mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare e paqes: “Siguria për popullin palestinez dhe atë izraelit është një element qenësor në bisedimet aktuale dhe ne jemi të vendosur ta arrijmë atë duke u mbështetur në planin e ri të paqes dhe në shtetin juridik. Ne jemi të vetëdijshëm se rruga për arritjen e marrëveshjes së plotë izraelito palestineze kërkon punë të madhe dhe angazhim të sinqertë. Por, ne jemi të sigurt se dialogu politik është e vetmja alternativë”.

Takimi midis ministrave të jashtëm të të dy palëve u zhvillua megjithë vazhdimin e tensionit në Bregun Perëndimor. //xh//

XS
SM
MD
LG