Lidhje

Colin Powell një nga anëtarët më me popullaritet të administratës së presidentit Bush - 2003-08-05


Sekretari i Shtetit, Colin Powell, për të cilin sondazhet tregojnë se është një nga anëtarët më me popullaritet të administratës së Presidentit Bush, njoftohet gjerësisht se u ka thënë miqve të ngushtë se nuk ka ndër mend të qendrojë në postin e tij, po qe se Presidenti Bush rizgjidhet edhe për katër vjet të tjera.

Por ndihmës të tij po e hedhin poshtë me forcë një shkrim të gazetës Washington Post, ku thuhet se zoti Powell dhe zëvendësi i tij, zoti Armitage, janë zotuar prerazi të largohen nga detyra më 21 janar 2005, një ditë pas betimit të presidentit.

Sipas Washington Postit, burime të administratës kanë thënë se zoti Armitage ia ka përcjellë këtë, në një nga bisedat e fundit, Këshilltares së Shtëpisë së Bardhë për Sigurimin Kombëtar, Condoleezza Rice, gjë që nxiti menjëherë spekullime në shtyp në lidhje me kandidaturën e mundshme për postin e sekretarit të ardhshëm të shtetit.

Në një konferencë shtypi në Departamentin e Shtetit, zëdhënësi Philip Reeker, nguli këmbë që biseda, për të cilën shkruan Washington Posti, ndërmjet zotit Armitage dhe zonjës Rice, nuk është zhvilluar kurrë.

”Nuk ka patur ndonjë bisedë ndërmjet ndihmës-sekretarit të shtetit dhe Këshilltares së Sigurimit Kombëtar, Condoleezza Rice, në lidhje me ndonjë plan për të dorëzuar detyrën. Nuk ka bazë për këtë njoftim. Sekretari Powell gjithmonë është shprehur se ai dhe ndihmës-sekretari i shtetit do të shërbejnë me pëlqimin e presidentit dhe kështu do të vazhdojnë. Mirësevini në Washington në muajin gusht, ku disa prej këtyre njoftimeve dritëshkurtëra kanë prirjen të dalin në faqet e para të gazetave, por nuk ka asnjë bazë për këtë shkrim”.

Edhe sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, bëri komente të ngjashme në Texas. Ai tha se Sekretari i Shtetit dhe zoti Armitage po e bëjnë punën e tyre me kënaqësi dhe se shkrimi në Washington Post ishte pasqyrim i thashethemeve të verës në Washington.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Reeker, theksoi se zoti Powell po punon si zakonisht dhe se ai e zoti Armitage do të shkojnë sot në Crawford të Texasit për të informuar Presidentin Bush në lidhje me zhvillime të politikës së jashtme, përfshirë bisedimet mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut dhe përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.

Zyrtarë të Departamentit të Shtetit thonë se edhe në rast se zoti Powell ka në plan të largohet nga posti në vitin 2005, do të ishte një hap politikisht jo i mënçur që ta njoftonte synimin e tij tani, 17 muaj para përfundimit të mandatit të administratës së tanishme, gjë që do të dëmtonte ndikimin e tij në çështjet e politikës së jashtme.

Një zyrtar i administratës u ndal veçanërisht në një nga hipotezat e shtruara në gazetën Washington Post se zoti Powell u paska thënë bashkëpunëtoreve të tij se shkak i dëshirës së tij për ta kufizuar qendrimin e tij në postin e sekretarit të shtetit vetëm në një mandat, është premtimi që i ka dhënë bashkëshortes së tij, dhe jo ndonjë ndryshim pikëpamjesh me Shtëpinë e Bardhë.

Zyrtari tha se zonja Powell nuk ka gisht fare në këtë çështje dhe se është tepër e pikëlluar që është vënë në shënjestër të njoftimeve të shtypit.

Në dhjetëvjeçarët e fundit, pak sekretarë amerikanë shteti kanë qendruar në këtë post më shumë se një mandat dhe, i fundit që ka shërbyer për 8 vjet, pra dy mandatge presidenciale, ishte Dean Rusk, i emëruar nga Presidenti John F. Kennedy më 1961, dhe që qendroi në post edhe gjatë mandatit të Presidentit Lyndon Johnson pas vrasjes së zotit Kennedy.

//ze//

XS
SM
MD
LG