Lidhje

Reis: Institucionet e Kosovës të përmbushin standardet - 2003-08-05


Shefja e zyrës amerikane në Kosovë, Marcie Reis, tha sot se institucionet e Kosovës, duhet të përgatiten për fillimin e bisedimeve teknike me Beogradin dhe përmbushjen e standardeve. Ajo i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi, me të cilin siç tha, është diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë, që përbëjnë shqetësim të dyanshëm.

“Është biseduar për rëndësinë e përparimit në përmbushjen e standardeve të caktuara nga bashkësia ndërkombëtare, që është synim thelbësor për të ardhmen e Kosovës”,- tha zonja Reis, duke theksuar ndërkaq “nevojën e përgatitjes për bisedimet teknike me Beogradin, si dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke premtuar angazhim për nxitjen e investimeve.”

Kryeministri Rexhepi tha se tashmë po bëhen përgatitje për bisedime me Beogradin, suksesi i të cilave do të varet edhe nga pala tjetër, por edhe angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare.

Në takim është diskutuar edhe për marrëdhëniet e institucioneve të Kosovës me Misionin e Kombeve të Bashkuara, pas kritikave që kanë shkëmbyer Ministri i Shërbimeve Publike Jakup Krasniqi dhe zyrtarët e UNMIK-ut.

Kryeministri Rexhepi tha se, “Kosova sa më pak duhet të merret me të kaluarën. Ka vend për kritika edhe për UNMIK-un por edhe për institucionet e Kosovës. Mendoj se misioni i UNMIK-ut është një mision i përbashkët dhe duhet të bashkëpunojmë në mënyrë që të ketë sa më pak hapësirë për kritika ndaj njëri tjetrit. Dhe nëse duhet ato duhet t‘i bëjmë në mënyrë institucionale edhe në vende ku vendosen shumë çështje”,- tha kryeministri Rexhepi.

Të dy zyrtarët thanë se do të punojnë së bashku për ta bërë Kosovën një vend ku të gjithë do të jetojnë së bashku, në një mjedis të sigurtë. Ndërkohë, autoritetet ofrojnë 50 mijë euro shpërblim, për informacione në lidhje me vrasjen e policit të OKB-së.

Zyrtarët e policisë dhe forcave paqëruajtëse thanë sot ndërkaq, se siguria është dëmtuar rëndë nga vrasja e pjesëtarit të policisë së Kombeve të Bashkuara, në rrethana të pasqaruara, në Kosovën veriore.

Komisioneri i policisë, Stephan Feller, tha se është caktuar një shpërblim prej 50 mijë eurosh, afërsisht 57 mijë dollarë amerikan, për këdo që ofron informacion që do të ndihmonte në ndriçimin e vrasjes së pjesëtarit të policisë, që siç u shpreh ai, është simbol i shpresës. “Ai është qëlluar nga njerzit që janë kundër lirisë dhe ka vdekur duke i shërbyer popullit të Kosovës”, - tha zoti Feller.

Ende nuk dihet asgjë për motivet, apo autorët e mundshëm të kësaj vrasjeje, që sipas zotit Feller, nuk duket të ketë ndonjë lidhje me incidentet e muajit të kaluar. Vrasja është dënuar fuqishëm sot edhe nga forcat paqëruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, zyrtarët e së cilës, thanë se sulme të tilla, janë të drejtuara kundër gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe Kosovës.

”Gjatë javëve të fundit janë bërë përpjekje të mëdha në aspektin politik, për të nxitur tolerancën ndaj pakicave kombëtare. Por, kohët e fundit ka patur edhe një rreth të dhunës që ka filluar me fjalime nxitëse dhe jo-tolerancë ndaj bashkësisë ndërkombëtare, si dhe shpërfillje ndaj sundimit të ligjit dhe kjo duhet të marrë fund”.- tha zëdhënësi i këtyre forcave, Geri Banister Grin. // lk //

XS
SM
MD
LG