Lidhje

Kryeministri Rexhepi: Dhuna dëmton imazhin e Kosovës - 2003-08-07


Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi tha se incidentet që kanë ndodhur kohët e fundit në Kosovë e dëmtojnë imazhin e saj. Në një intervistë që i dha sot Zërit të Amerikës ai tha gjithashtu se kërkohet një bashkëpunim sa më i ngushtë me UNMIK-ut, për arsye se ky është një mision i përbashkët dhe bashkëpunimi është në dobi të qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Rexhepi, kohët e fundi në Kosovë, ka patur disa incidente me dhunë, siç ishin vrasja e policit të OKB-së, shpërthimet në Prishtinë, Podujevë e Mitrovicë, të cilat kanë cënuar gjendjen e sigurisë në Kosovë. Sa shqetësuese janë këto zhvillime për sigurinë e brishtë në Kosovë?

Bajram Rexhepi:Këto janë mjaft shqetësuese dhe krijohet përshtypja se disa elemente me predispozita kriminele qëndrojnë si kujdestarë që në momentet kur megjithatë situata e sigurisë shkon drejt përmirësimit, ta dëmtojnë dhe ta prishin imazhin e Kosovës. Të gjitha këto incidente në një mënyrë dëmtojnë Kosovën, prandaj ka shqetësime për arsye se këto cikle të dhunës ndodhin kohë pas kohe.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, kohët e fundit zoti Jakup Krasniqi, Ministri i Shërbimeve Publike dhe ushtrues i detyrës së kryeministrit ndërkohë që ju ishit me pushime, bëri publike një letër të tij, ku kritikonte ashpër punën e UNMIK-ut. Si e cilësoni ju këtë veprim të jashtëzakonshëm të zotit Krasniqi dhe si ka ndikuar ai në marrëdhëniet midis UNMIK-ut dhe institutioneve të Kosovës?

Bajram Rexhepi:Mendoj se ka vend për kritika për misionin e UNMIK-ut, por edhe për institucionet kosovare për arsye se as ka institucione, as ka njerëz të pagabueshëm. Mirëpo mendoj se forma nuk ishte më adekuate. Të gjitha këto çështje ku ne kemi percepsione të ndryshme, ka mundësi që në forumet e përbashkëta t’i prezantojmë dhe kërkohet një bashkëpunim sa më i ngushtë me faktorin ndërkombëtar, me misionin e UNMIK-ut, për arsye se ky është një mision i përbashkët i yni, në mënyrë që të ketë sa më pak hapësirë për kritika, qoftë të ndërsjellta, qoftë të qytetarëve të Kosovës, për arsye se një bashkëpunim më i ngushtë është edhe në dobi në fund të fundit të qytetarëve, për çka edhe ne kemi obligim moral. Prandaj përkundrazi ndonjëherë përshtypjeve se ka ngecje në procese, duhet të bashkëpunojmë më shumë që proceset bashkarisht t’i çojmë përpara.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, si po realizohet procesi i kalimit të përgjegjësive nga UNMIK-u tek institucionet vendore, a është realiste të thuhet se ky proces do të përfundojë deri në fund të vitit, ndërkohë që aktualisht ky proces duket se është bllokuar?

Bajram Rexhepi: Aktualisht, ndoshta për shkak të ndërrimit të administratorëve, ky proces ka ngecur. Ne kemi punuar gjatë kohës që zoti Shtajner ishte administrator dhe shpresojmë se shumë shpejt do të vazhdojë edhe me kryeadministratorin e ri, me zotin Holker për arsye se kjo do të jetë tani nga prioritetet edhe të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, por edhe të UNMIK-ut. Është joreale që të pritet të bëhet transferimi i të gjitha kompetencave deri në fund të vitit, por shumica e pjesëve të parezervuara, ose të transferuuara duhet të rrumbullakoset deri në fund të vitit. Kjo nuk do të thotë se do të mbetemi vetëm në ato pozicione, por do të formojmë edhe grupe të përbashkëta, ku edhe ato të tjerat të rezervuara, gradualisht do të bëjmë përgatitjet që të transferohen.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë, ka filluar tashmë procesi i privatizimit të ndërmarrjeve. Sa po pengohet ky proces nga statusi i paqartë i Kosovës?

Bajram Rexhepi:Unë mendoj se pavarësisht nga statusi i paqartë i Kosovës, pengesat kanë qenë të mëdha që të fillojë procesi i privatizimit dhe këto për dihet se subjekti i cili më tepër ka qenë i interesuar ta pengojë ishte Serbia, e cila ka pretendime të ndryshme pronësore, territoriale etj. Mirëpo megjithatë ka filluar procesi i privatizimit, edhe pse me vonesë dhe gjashtë ndërmarrjet e para janë privatizuar. Mendoj se është një fillim i mbarë përkundër që ka pakënaqësi aty-këtu tek punëtorët. Askush s’mund të presë një privatizim ideal, mirëpo mendoj se sa më shpejt të bëhet privatizimi i pronës shoqërore është në dobi të Kosovës se pa privatizim nuk mund të pretendojmë të kemi zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe krijim të vendeve të punës.

Zëri i Amerikës: Në vjeshtë thuhet se do të fillojnë bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit. Ndërkohë Serbia ka thënë paraprakisht se Kosova do të përfshihet në Kushtetutën e re të Serbisë. Sa i mundur do të jetë dialogu në këto kushte?

Bajram Rexhepi:Mendoj se provokimet e kohëpaskohëshme mjaft të rënda nga ana e Serbisë nuk pushojnë. Rreth një vit e ca më parë ishte me preambulën kushtetuese të unionit Serbi-Mal i i Zi. Mendoj se Unioni Evropian tash do të veprojë në mënyrë preventive që të mos lejojë një gjë të tillë, për arsye se një situatë të tillë gati e pamundëson dialogun dhe mendoj se krijon një klimë të papërshtatshme për çfarëdo forme të dialogut. Prandaj ne shpresojmë se ata nuk do të ndërmarrin një hap të tillë të gabuar, në të kundërtën atëherë edhe ne do të marrim pozicione krejt të tjera.//kk//

XS
SM
MD
LG