Lidhje

Sekretari Pauëll takohet me kryeadministratorin e ri të Kosovës Harri Holkeri - 2003-08-08


Sekretari i Shtetit Kolin Pauell u takua dje në Uashington me administratorin e ri të Kombeve të Bashkuara për Kosovën Harri Holkeri.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se Sekretari Pauell e siguroi zotin Holkeri për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e UNMIK-ut për të ndihmuar banorët e Kosovës të krijojnë një shoqëri demokratike dhe shumë etnike.

Në një intervistë për Shërbimin Shqip të Zërit të Amerikës, pas takimit, zoti Holkeri tha se sfida e tij kryesore në Kosovë do të jetë të ndihmojë palët të afrohen me njera tjetrën për të ndërtuar një jetë më të mirë.

Ish kryeministri i Finlandës, i sapo emëruar për postin e administratorit të Kosovës, ishte dje në Uashington për të siguruar mbështetjen e administratës amerikane për misionin e tij. Në takim Sekretari i Shtetit Kolin Pauell i shprehu mirënjohjen zotit Holkeri dhe i ofroi atij mbështetjen e Uashingtonit për detyrën e re.

Pas takimit zoti Holkeri tha se për të ishte e rëndësishme të takohej me zyrtarët e lartë amerikanë para se të fillojë detyrën e re.

Një nga sfidat kryesore me të cilat ai do të ndeshet në Kosovë, do të jetë shtimi i besimit midis shqiptarëve dhe serbëve.

“Në Kosovë ka shume sfida që duhen përballuar në të njejtën kohë. Por një nga detyrat e mia kryesore është të përpiqem të ndërmjetësoj dhe, në se mund të shprehem kështu, të krijoj një besim më të madh midis banorëve të Kosovës. Unë do të doja të punoja, që të gjitha palët e përfshira, të afrohen me njera tjetrën dhe të gjejnë një mënyrë, për një jetë më mirë në Kosovë”, tha zoti Holkeri.

Administratori i ri shkon në Kosovë në një moment të rëndësishëm, kur Kosova synon plotësimin e standarteve, që i ka vënë asaj komuniteti ndërkombëtar, para fillimit të bisedimeve për statusin, ku përfshihen ndërtimi i institucioneve demokratike, krijimi i një shteti ligjor, nxitja e kthimit të të zhvendosurve dhe refugjatëve dhe fillimi i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

Zoti Holkeri u tregua i rezervuar në komentet e tij duke theksuar se dëshiron më parë të njihet nga afër me gjendjen në Kosovë, ku ai nuk ka qënë ndonjëherë, si dhe me punën e organizatës së UNMIK-ut, para se të japë mendimet e tij për çështjet konkrete me të cilat ballafaqohet Kosova sot.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan e emëroi ish kryeministrin finlandez muajin e kaluar për postin e ri, për të zëvendësuar administratorin Majkëll Shtainer i cili u largua për të filluar punën si ambasador i Gjermanisë në organizatat e OKB-së në Vjenë.

Zoti Holkeri pritet të mbërrijë në Kosovë javën e ardhshme.

XS
SM
MD
LG