Lidhje

Një yll i kinematografisë hyn në garën politike - 2003-08-11


Një nga filmat e tij më të njohur është "Terminator". Tani Arnold Shvarcenegeri kërkon t'i japë fund karrierës politike të guvernatorit të Kalifornisë Gray Davis dhe ta zëvendësojë atë.

Por ndryshe nga rolet e tij në filma, Arnold Shvarcenegerit do t'i duhet të konkurojë për këtë rol, gjë për të cilën thotë se është i gatshëm.

“Disa thanë se nuk mund ta shqiptoj emrin tim, se ti nuk flas mirë anglisht dhe se jam fizikisht tepër i zhvilluar. Dhe e dini se çfarë ka ndodhur? Unë u bëra aktori më i paguar në botë” - tha aktori me shaka.

Kandidatura e Shvarceneggerit po mbizotëron lajmet politike amerikane dhe ka tërhequr edhe vëmendjen e presidentit Bush.

Siç thashë,- theksoi Presidenti Bush, -jam i interesuar të di çfarë do të ndodhë. Është mahnitëse të shohësh kush do të fitojë dhe kush do të humbasë. Mendoj se zoti Shvarceneger do të ishte guvernator i mirë.

Arnold Shvarcenegeri është i fundit në serinë e aktorëve të Hollivudit që kërkojnë të kalojnë nga skena kinematografike në atë politike.

Ndoshta shembulli më i mirë është ai i Ronald Reganit. Ish aktori i filmave fitoi garën për guvernator të Kalifornisë në vitin 1966 dhe 14 vjet më vonë ai u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara.

David Lajtmën i gazetës Harford Courant, i cili ftohet shpesh si analist në programet e Zërit të Amerikës, sheh një ngjashmëri midis ngjitjes në politikë të Ronald Reganit dhe përpjekjeve të tanishme të Arnold Shvarcenegerit.

“Është burrë i zgjuar dhe ka aftësi komunikuese. A di ai aq sa duhet për Kaliforninë dhe buxhetin e saj? Jo. Por as Ronald Regani nuk dinte sa duhej për Kaliforninë dhe buxhetin e saj në vitin 1966, kur u zgjodh guvernator, pa patur asnjë përvojë në politikë. Skena të bën të njohur. Ajo të ngre më lart, si të thuash nga kandidatët e tjerë. Një numër shumë më i madh njerëzish njohin Arnold Shvarcenegerin, sesa të themi Zëvendës-guvernatorin e Kalifornisë, Kruz Bustamante, i cili është gjithashtu në këtë garë”, thotë analisti.

Vëzhgues të tjerë e krahasojnë përpjekjen e Shvarcenegerit me ato të mundësit profesionist, Xhesi Ventura, i cili shfrytëzoi pakënaqësinë e votuesve, për t’u zgjedhur në postin e guvernatorit të Minesotës, në vitin 1998.

Duke pasur parasysh edhe suksesin e politikanit të ri shumë pak të njohur Hauërd Din në garën presidenciale në radhët e Partisë Demokratike, disa analistë shohin një prirje të re në politikën amerikane. Analisti David Lightman thotë:

“Po shohim rrugë të reja për daljen e yjeve të rinj në arenën politike. E pamë këtë në rastin e guvernatorit Ventura dhe tani me kandidatin demokrat për president, Hauërd Din. Dhe ka shumë të ngjarë të shohim të njëjtën gjë edhe me Arnold Shvarcenegerin”,- thotë analisti.

Shumë analistë politikë thonë se me emrin e tij kaq të njohur dhe me problemet me të cilat po përballen demokratët në Kaliforni, Arnold Shvarcenegeri ka shumë shanse të fitojë në garën për guvernator, nëse më 7 tetor, zgjedhësit e Kalifornisë votojnë për shkarkimin e guvernatorit Gray Davis.// lk //

XS
SM
MD
LG