Lidhje

Në Irak vazhdojnë përpjekjet për kapjen e Sadamit - 2003-08-12


Zyrtarë të Pentagonit thonë se një ushtar amerikan u vra dhe dy të tjerë u plagosën nga shpërthime bombash në perëndim të Bagdadit.

Sulmi ndodhi sot, ndërkohë që një autokolonë ushtarake amerikane kaloi nëpër qytetin irakian të Ramadit.

Po sot, forcat amerikane u dhanë fund një sërë bastisjesh që kanë si objektiv besnikët e regjimit të përmbysur dhe që synojnë të ndalin sulmet ndaj forcave të koalicionit.

Divizioni i Katërt amerikan i ndërrmori operacionet në dy qytete, në lindje të qytetit të lindjes së Sadam Huseinit Tikrit. Gjatë operacioneve u arrestuan dy persona dhe u konfiskua një sasi armësh.

Ndërkohë, grupi kurd irakian Bashkimi Patriotik i Kurdistanit, njofton se luftëtarë të tij përgjatë kufirit të Irakut me Iranin, kanë ndalur mbi 50 persona të dyshuar si anëtarë të grupit terrorist Ansar al-Islam. Shtetet e Bashkuara thonë se ky grup, dyshohet se kishte gisht në shpërthimin e javës së kaluar kundër ambasadës jordaneze në Bagdad, ka lidhje me rrjetin al-Kaida.

Në Irakun jugor, trupat britanike në qytetin e Basrës, thonë se gjendja është kryesisht e qetë, pas dy ditë trazirash me dhunë për shkak të mungesave të energjisë elektrike dhe karburantit.

XS
SM
MD
LG