Lidhje

Ali Ahmeti: Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit domosdoshmëri për tu integruar në Evropë - 2003-08-13


Sot mbushen dy vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja që i dha fund luftës shtatë muajshe, u arrit midis partive politike shqiptare dhe maqedonase me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo datë po përkujtohet sot në Maqedoni në mënyrë modeste. Ndonëse me ngadalësi, Marrëveshja e Ohrit, po zbatohet, sidomos për sa i përket shtimit të numrit të shqiptarëve në forcat e rendit dhe përdorimit të gjuhës shqipe. Gjithashtu, para pak javësh u miratua ligji për arsimin e lartë që shqiptarët e shikojnë si një çështje madhore për ta. Por ç’mendim ka njëri nga përfaqësuesit kryesorë politikë të shqiptarëve të Maqedonisë për zhvillimet e këtyre dy vjetëve? Zëri i Amerikës intervistoi kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, ka një mendim të përhapur se marrëveshja e Ohrit po zbatohet ngadalë. A i ka përmbushur kjo marrëveshje shpresat tuaja deri tani?

Ali Ahmeti: Sigurisht, zoti Biberaj që nuk do koment pyetja që edhe ju vetë e bëni. Një fjalë e popullit thotë më mirë ngadalë dhe sigurtë. Megjithatë janë arritur mjaft rezultate të cilat vërtetë kërkojnë një angazhim të përditshëm që ato të bëhen të ditura edhe për opinionin. Angazhimi ynë kryesor ka qenë që vetë qytetarët këto rezultate t’i shijojnë gjatë jetësimit të marrëveshjes. Vështirësi kuptohet që ka, por edhe ne nuk jemi optimistë të krijojmë iluzione sepse proceset në të cilat ndodhemi ne, janë procese të rënda dhe duan angazhim të gjithanshëm. Megjithatë proceset po ecin përpara dhe angazhimi ynë dita ditës është shumë më serioz, qoftë ne si parti, qoftë është edhe pala me të cilën ne jemi në koalicion.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, partitë shqiptare të opozitës bëjnë kritika të shumta lidhur me ecurinë e marrëveshjes dhe kanë hedhur edhe idenë e vetëvendosjes për shqiptarët, e cila bie në kundërshtim edhe me marrëveshjen e Ohrit. Cili është komenti juaj ju lutem?

Ali Ahmeti: Sigurisht, detyrë e partive opozitare janë që të kritikojnë me qëllim që proceset të ecin sa më shpejtë dhe sa më mirë. Ne këto kritika i marrim për bazë dhe kuptohet, nxjerrim edhe mësime. Për sa i përket koncepteve tjera që paraqiten lidhur me shpalljen e referendumit për autonomi apo për diçka tjetër, alternativë tjetër përveç marrëveshjes së Ohrit nuk ka dhe ne thërrasim të gjitha partitë e tjera, qoftë shqiptare, qoftë maqedonase, që të na përkrahin seriozisht në jetësimin e marrveshjës së Ohrit, marrëveshje e cila vërtetë edhe nga vetë përmbajtja është historike dhe e përmirëson dukshëm statusin politik të shqiptarëve në Maqedoni.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, në ish zonat e krizës gjendja vazhdon të jetë e paqëndrueshme. Ka incidente të shpeshta me armë, incidente që lidhen me krimin e organizuar. Sa mund të bëni ju, si partia më e madhe e shqiptarëve dhe si pjesëmarrëse e koalicionit qeveritar, për të stabilizuar gjendjen në këtë zonë?

Ali Ahmeti: Sigurisht si në çdo vend të pas luftës edhe tek ne kanë ndodhur incidente të tilla. Sigurisht që mund të shfrytëzohen edhe në të ardhmen. Ka lloj lloj elementesh qëllimkëqinj, qoftë për përfitime përsonale, apo për lidhje të ndryshme që kanë grupet mes veti, përpiqen të krijojnë situata të pavolitshme për ne dhe për qytetarët, por megjithatë një angazhim mjaft serioz dhe institucional duke përfshirë policinë, sigurimin e shtetit dhe sigurimin publik, me qëllim që qytetarëve t’u krijojmë një jetë më të rehatshme, më të lirë dhe më të begatshme. Kuptohet që, njëra nga çështjet më prioritare të bashkëqeverisjes sonë në këtë koalicion është vendosja e sigurisë, e stabilitetit si faktorë shumë të rëndësishëm për të ecur përpara.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, cilat janë sfidat kryesore për Maqedoninë, për vitin që vjen?

Ali Ahmeti: Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët ta kuptojnë se rrugë tjetër nuk ka, përveç implementimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit, që të integrohemi aty ku synojmë, në Bashkimin Evropian dhe në strukturat e NATO-s. Kështu që sa më parë që të kuptohet kjo domosdoshmëri, aq më lehtë do ta kemi ne për ta realizuar qëllimin për ku jemi nisur. Unë mendoj që këtu ka përplasje të mentaliteteve, të cilat janë si derivat i së kaluarës, por megjithatë bëhen përpjekje maksimale që të përmirësohet mënyra e të menduarit, mënyra e të punuarit dhe qofshin politikanët, qofshin partitë të punojnë ashtu si deklarohen, ashtu siç flasin dhe jo ndryshe të mendojnë dhe ndryshe të veprojnë.

//rd//

XS
SM
MD
LG