Lidhje

Irak: vazhdojnë përpjekjet për riparimin e naftësjellësit - 2003-08-18


Autoritetet amerikane në Bagdat thanë do të duhen rreth dy javë për të shuar zjarret që kanë përfshirë naftësjellësin, i cili transporton naftë nga Iraku në Turqi dhe që po i shkakton mjaft humbje ekonomisë irakiane.

Autoritetet thonë se incidenti është duke u hetuar dhe se njëri nga shkaqet mund të jetë sabotimi. Naftësjellësi kishte filluar punën të mërkurën dhe arriti të funksionojë vetëm dy ditë para se ta përfshinin flakët.

Autoritetet ushtarake njoftojnë gjithashtu se një ushtar amerikan vrau dje një kameraman të Rojter-it para një burgu. Një zëdhënës tha se ushtari e kishte kujtuar kamerën për granatahedhës edhe pse gazetarët kishin marrë leje më parë për të filmuar në atë zonë. Kameramani Mazen Dana, me origjinë nga qyteti palestinez i Hebronit, ishte një gazetar veteran i Rojter-it me një përvojë 10 vjeçare pune nëpër konflikte. Autoritetet amerikane e quajtën incidentin një aksident tragjik.

Ndërkohë, një ujësjellës i cili ishte dëmtuar të dielën la pa ujë rreth 300 mijë banorë të Bagdatit Verior. Uji që rridhte nga tubi i dëmtuar kishte filluar të përmbytëte sipërfaqen përreth dhe autoritetet thanë se ishin detyruar të ndërprisnin ujin në tërë qytetin për të riparuar ujësjellësin. Tubacioni u riparua sot por shumë banorë thanë se ende nuk kishin furnizim me ujë.

Përpjekjet për të eksportuar naftën irakiane janë penguar vazhdimisht nga sabotimet e besnikëve të regjimit të rrëzuar të Sadam Husenit. Forcat amerikane dhe këshilli qeverisës i Irakut po përpiqen për të riparuar naftësjellësin e dëmtuar i cili do t’u sillte irakianëve të ardhura aq të nevojshme për rindërtimin e vendit.// lk //

XS
SM
MD
LG