Lidhje

Strategjia e zgjedhjeve të Kalifornisë - 2003-08-18


Të dyja partitë janë në dilemë. Demokratët nuk janë të sigurt nëse duhet ta përkrahin apo jo, guvernatorin e tanishëm, Gray Davis kur njerëzit të shkojnë në votime më 7 tetor për të vendosur. Nga ana tjetër, dilema është se a duhet t’i përqendrojnë ata energjitë në zgjedhjen e një demokrati tjetër në vend të zotit Davis? Ky demokrat do të ishte Cruz Bustamante, zëvëndës-guvernatori aktual.

Zyrtarë të Partisë Demokrate po shprehin mbështetje për zotin Davis dhe po u kërkojnë qytetarëve që të mos votojnë kundër heqjes së tij nga ky post. Zoti Davis e ka quajtur procesin e votimit një sulm të republikanëve ndaj partisë së tij.

”Jam i lumtur që partia demokrate po e kundështon këtë votim sepse ata kanë parë se si disa republikanë përpiqen dhe madje arrijnë t’i vjedhin zgjedhjet. Kjo filloi me përpjekjen për shkarkimin e presidentit Kllinton dhe vazhdoi në Florida. Ata kanë tentuar ta bëjnë këtë edhe në Teksas. Dhe tani republikanët po mundohen të vjedhin zgjedhjet këtu në Californi dhe të gjithë demokratët janë kundër kësaj ideje.”,- thotë zoti Davis.

Zotit Davis i nevojitet përkrahja e më shumë se 50 përqind të votuesve për të qendruar në post, por siç tregojnë anketat, 60 përqind e votuesve janë shprehur për ta hequr atë. Nëse ai hiqet, pasardhësit të tij do t’i duhej shumë më pak përkrahje për tu bërë guvernatori i ardhshëm.

Në pjesën e dytë të fletës së votimit do të jenë emrat e 135 kandidatëve dhe ai i cili do të ketë numrin më të madh të votave do të zgjidhet guvernator, pra nëse zoti Davis nuk do të marrë votat e duhura, për të cilin votuesit do të shprehen në pjesën e parë të fletës së votimit.

Por edhe republikanët ndodhen përballë një dileme. Dalja e tyre me katër kandidatë kryesorë do të bënte që përkrahësit e tyre ta ndanin votën, duke i krijuar kështu mundësi zëvëndës-guvernatorit të tanishëm Bustamante të dalë fitues.

Disa aktivistë të kësaj partie u kanë bërë thirrje kandidatëve republikanë Bill Simon, Peter Ueberroth dhe Tom MekKlintok, që të përkrahin aktorin Arnold Shvarzeneger i cili është gjithashtu kandidat i kësaj partie dhe kryeson anketat, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar.

Kalifornia ka një deficit buxhetor prej 38 miliardë dollarësh dhe të gjithë kandidatët republikanë po e kritikojnë ashpër zotin Davis për këtë. Por disa kanë kritikuar edhe zotin Shvarzeneger, i cili siç thonë ata, është pa përvojë dhe i paqartë në shumë çështje. Aktori është duke i përballuar kritikat duke mbledhur rreth vetes një grup të fortë ekspertësh dhe në këtë grup siç thotë ai, së shpejti do të jetë edhe një ish sekretar shteti.

”Sekretari George Schultz do të jetë anëtar i ekipit tim për përmirësimin e ekonomisë dhe ai do ta drejtojë këtë ekip bashkë me zotin Warren Buffet.”,-thotë Shvarzeneger.

Zoti Buffet është një ndër biznesmenët më të pasur në botë. Kandidatët kryesorë pritet të zhvillojnë një debat më 17 shtator, në qytetin e Sakramentos. Zoti Davis nuk do të jetë i ftuar, por atij do t'i ofrohet mundësia të dërgojë një mesazh të regjistruar në këtë debat.// lk //

XS
SM
MD
LG