Lidhje

Shtëpia e Bardhë: sulmet e fundit në Irak janë kryer nga mbeturinat e Sadam Huseinit - 2003-08-19


Shtëpia e Bardhë thonë se një seri sulmesh kundër naftësjellësve dhe ujësjellësve në Irak janë kryer nga mbeturina të regjimit të përmbysur të Sadam Huseinit. Zëdhënësi Scott McClellan tha se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara nuk do ti lejojë sulmuesit që ta ndalojnë popullin irakian të ketë një të ardhme më të mirë.

Po dje, ushtria amerikane njoftoi se një ushtar u vra nga një mjet shpërthyes në Bagdad.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, tha se këto mbeturina të ish regjimit irakian duan të mos e lejojnë popullin e Irakut që të ketë një të ardhme më të mirë.

Zëdhënësi McClellan tha se ata nuk do të kenë sukses dhe se forcat e koalicionit në Irak janë hedhur në ofensivë. Siç u shpreh ai: Ne do të vazhdojmë ti ndjekim me agresivitet këta vrasës.

Duke folur për gazetarët afër fermës së presidentit në Crawford të shtetit Texas, zoti McClellan tha se sulmet e fundit të sabotazhit në Irak janë vepër si e besnikëve të Sadam Huseinit ashtu edhe terroristëve të huaj. Ai nuk foli më në hollësi, por u zotua se këta elementë do të munden.

Gjatë ditëve të fundit janë kryer disa sulme kundër qendrave civile dhe ushtarake në Irak. Një ujësjellës i madh në Bagdad u sulmua të dielën. Të premten e kaluar, objektiv i një sulmi ishte naftësjellësi kryesor i eksportit të naftës irakiane. Tubacioni i naftës u dëmtua rëndë vetëm dy ditë pasi ishte vënë përsëri në funksionim për herë të parë që prej luftës, duke dërguar naftë në portin turk të Ceyhanit.

//ze//

XS
SM
MD
LG