Lidhje

Shqipëria bën përgatitjet e fundit për hapjen e fushatës zgjedhore - 2003-08-20


Institucionet më të larta shtetërore, administrata zgjedhore dhe forcat politike po bëjnë përgatitjet e fundit për mbarëvajtjen e fushatës dhe të zgjedhjeve për pushtetin vendor.

Temperaturat e pazakonta dhe sezoni turistik nuk kanë penguar mbajtjen e dhjetëra mbledhjeve partiake për caktimin e kandidatëve dhe komisionerëve q do të administrojnë procesin zgjedhor.

2 mijë e 700 komisionerë të rretheve janë duke marrë udhëzime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin sa më të saktë të Kodit të ri Zgjedhor. Komisioni Qendror sapo ka shpërndarë në të gjithë vendin listat e reja të votuesve, që i përgatiti falë punës së një baze të fuqishme kompjuterike pranë zyrave të veta. Kandidatët për bashki e komuna si edhe qindra vëzhgues vendas janë duke marrë gjithashtu këshilla e porosi nga ekspertët e forcave politike për vëzhgimin e procesit zgjedhor.

Presidenti Moisiu po shpreh interesimin më të madh për mbarëvajtjen e zgjedhjeve për pushtetin vendor. Në disa fjalime të fundit ai ka deklaruar se këto zgjedhje do të jenë pasaporta e Shqipërisë për në Europë. Burime të besueshme pranë këtij institucioni bënë të ditur për Zërin e Amerikës se Presidenti Moisiu do të mbajë një fjalim të gjatë për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve në seancën e parë të parlamentit.

Gjithashtu, menjëherë pas fjalimit në Parlament, siç edhe u shpreh në takimin me shtypin me rastin e 1-vjetorit të zgjedhjes në këtë post, zoti Moisiu pritet të organizojë takime me forcat politike, ku do t’u kërkojë atyre në mënyrë deklarative angazhim maksimal për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe kontributin e tyre për zhvillimin normal të procesit zgjedhor.

Forcat kryesore politike sapo kanë caktuar edhe datat e hapjes së fushatës së tyre. Partia Socialiste pritet të nisë fushatën e saj zgjedhore në 1 shtator. Partia në pushtet po kalon një periudhë të trazuar në rradhët e veta, ndërkohë që ish- kryeministri Ilir Meta, është duke zhvilluar tubime në degët e rretheve, me fjalime gjatë të cilave, po kritikon kryeministrin Fatos Nano për ngadalësim të reformave, nepotizëm, shmangie nga objektivat partiake dhe qeveritare, si dhe statistika të pasakta mbi ekonominë dhe investimet.

Tensioni mes militantëve socialistë u dëshmua të jetë i lartë edhe gjatë një incidenti që punonjës të SHISH-it shkaktuan para një tubimi të zotit Meta në Pezë. Ky i fundit denoncoi ngjarjen si një antimiting të parapërgatitur, ndërsa jozyrtarisht mësohet se të paktën një punonjës i Shërbimit të asaj zone është pezulluar nga puna deri në sqarimin e plotë të incidentit. Edhe Presidenti Moisiu mësohet se ka shprehur interesim lidhur me këtë ngjarje në kuadër të gjendjes së përgjithshme parazgjedhore të vendit, por nga ndihmës të stafit të tij, nuk konfirmohen njoftimet e shtypit për kërkesë hetimesh rreth saj.

Partia Demokratike e opozitës do të çelë fushatën me një tubim më 30 gusht, ndërsa priten edhe një mori veprimtarish të tjera politike në kryeqytet dhe në mbarë vendin nga partitë më të vogla. Këto zgjedhje po shënojnë gjithashtu edhe numrin më të ulët të aleancave zgjedhore, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Pjesa më e madhe e partitë politike do të paraqiten me kandidatët e tyre dhe në pak raste kandidatët do të jenë të përbashkët në aleanca të ngushta.

XS
SM
MD
LG