Lidhje

Prishtina kërkon më shumë qasje në informacionet për cështjet e sigurisë - 2003-08-20


Institucionet e Kosovës kanë shprehur sot keqardhjen e tyre të thellë, për vdekjen e diplomatit, Sergio Viera de Mello në Bagdad, njeriu që ishte edhe administratori i parë i Kombeve të Bashkuara pas luftës në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i ka dërguar telegram ngushëllimi Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, duke nënvizuar se “zotin de Mello, Kosova e kujton si Administratorin e parë në liri, pas luftës, i cili prej 13 qershorit deri më 1 gusht 1999 punoi me përkushtim në vendosjen e bazave për rindërtimin e vendit, që sot është bërë realitet”.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, tha se qeveria e tij e dënon ashpër aktin terrorist në Bagdad, duke e cilësuar atë, synim për të penguar përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për rivendosjen e rendit, ligjit dhe paqes në Irak. Ai tha sot, pas një mbledhjeje të posacme të qeverisë, se “zoti De Mello është shquar me përkushtimin e tij për vendosjen e rendit pas luftës në Kosovë, si njeri i madh që ka kontribuar shumë për paqen në botë dhe që është përballur me misione të rrezikshme”.

Kryeministri Rexhepi tha ndërkaq se në mbledhjen e sotme të qeverisë së tij, nënkomisioneri i policisë së Kombeve të Bashkuara, Tom Hacker, ka raportuar për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe hetimet që po zhvillohen për ndricimin e incideteve të dhunshme. Kryeminsitri Rexhepi tha pas mbledhjes, që zgjati mëse katër orë, se nga institucionet ndërkombëtare është kërkuar një informim i drejtëpërdrejtë, që do të mundësonte veprimin e shpejtë politik të qeverisë, e cila nuk ka përgjëgjësi për sigurinë.

Cështjet e sigurisë, edhe më tej mbeten e drejtë e rezervuar për Misionin e Kombeve të Bashkuara dhe forcat paqëruajtëse në Kosovë. “Për sigruinë, sa është i interesuar UNMIK-u, ne jemi edhe më të interesuar, sepse në fund të fundit ne jemi ata që humbim, që paguajmë cmimin më të madh. Prandaj jemi të interesuar jetikisht, që të krijohet një mjedis më i përshtatshëm për perspektivën e Kosovës dhe me ato segmente ku ka mundësi ne mund të ndikojmë, politikisht”, tha kryeministri Rexhepi. Ai tha se së është kërkuar edhe shtimi I përpjekjeve të policisë, gjyqësisë dhe forcave paqërujatëse në ndricimin e akteve të dhunës dhe parandalimin e tyre.

Mbledhja e sotme, pasoi një seri aktesh të dhunës në Kosovë, si pasojë e të cilave, shtatë veta kanë humbur jetën dhe mbi dhjetë të tjerë janë plagosur, që nga fillimi I muajit gusht. Deri tash, policia ka arrestuar një pjestar të komunitetit serb në lidhje me vrasjen e një polici të Kombeve të bashkuara në fillim të muajit, ndërsa rastet tjera vazhdojnë të mbeten të pandricuara.

//rd//

XS
SM
MD
LG