Lidhje

Organizatat ekstremiste palestineze kërcënojnë të hakmerren - 2003-08-21


Organizatat ekstremiste palestineze kërcënuan se do të ndërmarrin sulme të mëtejshme kundër Izraelit si hakmarrje ndaj vrasjes nga Izraeli të një udhëheqësi të lartë të Hamasit në Gazë.

Operacioni i sotëm ushtarak i Izraelit në qytetin e Gazës dhe sulmet kundër qyteteve palestineze të Bregut Perëndimor, ishin me sa duket kundërpërgjigje ndaj shpërthimit vetvrasës të ditës së martë në Jeruzalem, ku gjetën vdekjen 20 persona.

Ndërkohë që cikli i dhunës shkallëzohet, sekretari amerikan i shtetit, Kolin Pauëll, paralajmëroi se Izraeli dhe palestinezët mund të gjenden në një rrugë pa krye nëse ata e ndalin punën për zbatimin e planit të paqes.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe autoritetit palestinez të përtërijnë përpjekjet për të mos lejuar grupet ekstremiste të ndërmarrin sulme terroriste.

Megjithë premtimin e ri të autoritetit palestinez për të marrë masa kundër grupeve ekstremiste, Izraeli vendosi mbrëmë gjatë natës që të verë përsëri në zbatim politikën e tij të vrasjes së udhëheqësve ekstremistë.

Në sulmin e sotëm izraelit me helikopter në Qytetin e Gazës mbeti i vrarë Ismail Abu-Shanab, një udhëheqës i lartë i grupit Hamas, dhe dy roje të tij personale.Izraeli thotë se zyrtari i vrarë i Hamasit kishte marrë pjesë në planifikimin e sulmeve kundër izraelitëve.

Grupet Hamas dhe Xhihadi Islamik u zotuan të hakmerren dhe deklaruan se armëpushimi i shpallur prej tyre kishte marrë fund.

Kryeministri palestinez, Mahmud Abaz, e cilësoi vrasjen e udhëheqësit të grupit Hamas si krim të urryer që do të minojë përpjekjet e paqes.

//rd//

XS
SM
MD
LG