Lidhje

Muzeu i Washingtonit - 2003-08-21


Washingtoni ka shumë muzeume. Disa prej tyre e trajtojnë këtë qytet thjesht si selinë e qeverisë federale por një muzeum i hapur rishtazi flet për historinë e kryeqytetit dhe të qytetarëve të tij.

Njerëzit që vizitojnë këtë muze mësojnë se Washingtoni nuk është vetëm një qytet i mbushur me ndërtesa historike. Prapashtesa D.C. do të thotë District Of Columbia, siç quhet një rajon më i gjerë me Washingtonin në qendër. Muzeumi tregon për njerëzit dhe ngjarjet që kanë karakterizuar kryeqytetin gjatë historisë dhe ku sot jetojnë rreth 500 mijë banorë. Muzeumi i Qytetit është një projekt që ka kushtuar rreth 30 milionë dollarë dhe është sponsorizuar nga Shoqata a Historisë së Washingtonit e themeluar në vitin 1984.

Muzeumi gjendet ne bibliotekën Carnegi e cila është njëkohësisht edhe libraria e parë publike në kryeqytet. Kjo bibliotekë është zgjedhur si vend për muzeumin sepse është e njohur për natyrën e saj mikpritëse. Në kohën kur njerëzit e racës së zezë nuk lejoheshin nëpër ndërtesa, biblioteka Carnegie ishte e vetmja që nuk bënte diskriminim racor.

Salla kryesore e muzeumit është e mbushur me fotografi të presidentëve amerikanë dhe dokumente të rralla, por objekti që tërheq më shumë njerëz është një hartë e krijuar me satelit ku njerëzit mund të gjejnë shtëpitë e tyre. Përreth sallës ku gjendet kjo hartë, muzeumi është i ndarë në periudha kohore duke filluar me indianët e fisit Piscataway. Këtu mund të mësosh edhe për Pierre L’Enfant i cili ishte arkitekt i qytetit si dhe James Wormley i cili edhe pse ishte i biri i një skllavi, arriti të bëhet pronar i një hoteli luksoz në shekullin 19.

Muzeu flet gjithashtu për tensionet për çështjen e administrimit të qytetit. Tani Uashingtoni ka një kryetar bashkie dhe një këshill të qytetit por protestat e qytetarëve për faktin se nuk përfaqësohen në kongres vazhdojnë. Disa mendojnë se zgjidhja do të ishte që Washingtoni të bëhet shteti i 51-të i Amerikës.

Një vemendje e veçantë në muzeum i kushtohet rrugës U. Kjo rrugë e cila dikur ishte qendër e argëtimit dhe muzikës së kryeqytetit ngjall kujtime për shumë njerëz.

Vitet e fundit, shumë agjensi të qeverisë dhe kompani të ndryshme janë larguar nga kryeqyteti për tu vendosur në periferi ne shtetin e Virginias dhe Marylandit. Shumë amerikanë të bardhë e kanë braktisur qytetin pas trazirave të vitit 1969 dhe shtimit të krimit. Këtij grupi i janë shtuar edhe shumë zezakë të cilët kanë qenë në gjendje të mirë ekonomike, por kohët e fundit shumë njerëz po kthehen në qytet. Po ndërtohen banesa të reja dhe mbarë qyteti po sheh një zhvillim të përgjithshëm. Drejtuesit e muzeumit shpresojnë që objektet e reja të ekspozitës të tërheqin më shumë njerëz për të vizituar Washingtonin, muzeun e vërtetë.

//rd//

XS
SM
MD
LG