Lidhje

Daniel Serwer: Suksesi i bisedimeve Prishtinë-Beograd do të varet nga përgatitja e palëve - 2003-08-22


Rastet me dhunë të kohëve të fundit në Kosovë e kanë dëmtuar paqen e brishtë dhe gjendjen e sigurisë. Ato janë dënuar si nga autoritetet e vendit edhe nga zyrtarët ndërkombëtarë. Drejtori i Nismës Ballkanike pranë Institutit Amerikan të Paqes, Daniel Serwer, në një intervistë që i dha shërbimeve në gjuhën shqipe dhe serbe të Zërit të Amerikës, tha se krimet ndëretnike sjellin implikime politike dhe e bëjnë shumë të vështirë përparimin qoftë në Kosovë edhe në Serbi.

Zëri i Amerikës: Zoti Server, kohët e fundit gjendja e sigurisë në Kosovë është keqësuar, me shtimin rasteve të dhunës. Si e spjegoni ju këtë lloj nervoziteti?

D. Serwer: Dimë që tensioni mes serbëve dhe shqiptarëve është shtuar, por në të vërtetë nuk e dimë shkakun e këtyre incidenteve, në se ato janë kryer për arsye politike, etnike, apo për arsye personale, dhe deri sa të shohim faktet e vërteta, kur të ketë persona të akuzuar, apo të pandehur, deri sa të zhvillohet gjyqi ndaj tyre dhe bile edhe kur të zhvillohet gjyqi, çështja akoma mund të jetë e paqartë, prandaj unë bëj thirrje për durim, jo për të duruar krimin, krimi duhet gjykuar, për këtë nuk ka asnjë dyshim, por do të thoja durim, për të mos u nxituar për të arritur në përfundimin se kush e kreu krimin dhe përse. Unë nuk di t’u përgjigjem këtyre pyetjeve dhe ndoshta për një farë kohe, nuk do të mund t’u përgjigjemi dot atyre. Që ka shumë akte me dhunë ndaj serbëve në Kosovë, për këtë nuk ka dyshim, por unë nuk e di se pse ndodhi ky incident i veçantë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se udhëheqësit shqiptarë dhe UNMIK-u kanë bërë sa duhet për gjendjen e sigurisë në Kosovë?

D. Serwer Mendoj se UNMIK-u, NATO, kanë bërë shumë. Ata kanë patur sukses në shumë aspekte. Kështu, për shembull nuk mund të krahasohet gjendja e krimit 3 vjet më parë me atë sot, por kjo nuk është e mjaftueshme, për arsye se krimet ndëretnike sjellin implikime politike, ato e polarizojnë akoma më tepër politikën serbe dhe atë shqiptare dhe e bëjnë shumë më të vështirë që të arrihet përparim në Kosovë, por edhe në Serbi. Mendoj se udhëheqësit shqiptarë me të drejtë i dënuan krimet, por ata duhet të veprojnë, ashtu siç duhet, ata duhet të komunikojnë, nëpërmjet të partive të tyre politike me të gjitha nivelet e shoqërisë kosovare, se kjo gjendje duhet të marrë fund, se nuk është në interesin e Kosovës. Unë jam i mendimit se ky mesazh është marrë siç duhet, kam besimin që ai është dërguar, por ai duhet të kuptohet siç duhet, se kjo dhunë ndaj serbëve, nuk është në interesin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Shqiptarët e shikojnë si provokim nga ana e Beogradit përfshirjen e Kosovës brenda Serbisë në Kushtetutën e re. Cili do të ishte komenti juaj për këtë?

D. Serwer Duhet të pranojmë, se çdo veprim ndërmerret në përputhje me rezolutën 12-44, që thotë mjaft qartë se Jugosllavia është shtet sovran dhe Jugosllavia është pasuar nga Serbia dhe Mali i Zi, pra edhe çështja e territoreve përcaktohet në përputhje me rezolutën 12-44. Unë nuk e di përse çështja e territoreve ngatërrohet me kushtetutën, unë di se Kushtetuta amerikane, nuk e bën një gjë të tillë. Ne nuk e ndryshojmë kushtetutën sa herë që shtohet një shtet i ri amerikan. Nga ana tjetër, nuk jam i sigurtë, në se kjo është diçka e mirë. Aktualisht Serbia dhe Mali i Zi janë një shtet që kanë sovranitetin e vet dhe ky sovranitet ushtrohet nëpërmjet të protektoratit të Kombeve të Bahskuara dhe e vetmja gjë, e cila mund ta ndryshojnë këtë gjendje, është një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit. Pra një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit do ta zgjidhte këtë problem, por jo kushtetuta.

Zëri i Amerikës: Në bisedimet që pritet të zhvillohen midis Prishtinës dhe Beogradit, cili do të jetë roli i Insitutit të Paqes?

D. Serwer Ne do të kemi ndonjë rol paraprakisht, por jo direkt në bisedime. Kemi kemi në plan që gjatë javëve të ardhshme të organizojmë një trajnim në Prishtinë me pjesëmarrësit në bisedime, për përgatitjen e tyre. Por duhet patur parasyh, që ne vetëm se u mësojmë njerëzve teknikat e bisedimeve, ne i kemi mësuar këto teknika në të kaluarën në Kosovë, ne i mësojmë këto teknika edhe në Serbi dhe shpresojmë se ato janë të vlefshme për të gjitha palët dhe fakti që njëra palë t’i dijë teknikat e tjetrit, është diçka e mirë për bisedimet. Ne përpiemi të ndihmojmë, të japim kontributin tonë, si për serbët edhe për shqiptarët, ne kemi vepruar kështu që prej disa vitesh, tashmë dhe duket se të dyja palët e kanë pranuar faktin që ne përpiqemi t’i ndihmojmë.

Zëri i Amerikës: A jeni ju optimist për këto bisedime?

D. Serwer Unë mund të jem optimist vetëm në se palët në bisedime janë të përgatitura dhe mendoj se ato ende nuk janë të përgatitura siç duhet. Kam mendimin se Beogradi ka bërë më shumë përgatitje se Prishtina deri tani, por mendoj se për të dyja palët nevojiten përgatitje e mëtejshme. Ka dy lloje përgatitjesh, së pari përgatitje politike, pra që negociatorët të shkojnë në bisedime, pa u mbizotëruar nga partitë politike. Dhe ky është një problem i veçantë për komunitetin shqiptar, por është gjithashtu probelm për komuntetin serb të Kosovës, pra ata duhet të përgatiten politikisht për këto bisedime. Kemi edhe përgatitje teknike. Si shqiptarët, edhe serbët duhet të dinë cilat janë interesat e palës tjetër, sa është numri i të zhdukurve, çfarë problemesh ka me pronësinë, për pensionet, për ndihmën sociale, transportin, energjinë, duhet të dinë cilat janë interesat dhe problemet e palës tjetër. Të dyja palët në bisedime duhet të kuptojnë rolin e njëri tjetrit dhe me t’u realizuar kjo, mund të arrihen bisedime të sukseshme. Por jam i mendimit se pjesa më e madhe e punës bëhet para se të ulesh në tryezën e bisedimeve dhe mendoj se ende nuk është bërë puna më e vështirë.

XS
SM
MD
LG