Lidhje

Kosovë: NATO fillon javën e ardhshme një stërvitje një mujore - 2003-08-23


Duke filluar nga dita e martë, për një muaj me radhë, mijëra trupa të NATO-s dhe partnerëve të saj, do të përfshihen në një stërvitje të përbashkët në Kosovë, me emrin e koduar "Përgjigja Dinamike 2003", stërvitje kjo që do të zgjerohet edhe në territorin e Bosnjës.

Zëdhënësi i forcave paqëruajtëse në Kosovë, Kris Thomson, tha se kjo stërvitje dëshmon gadishmërinë e NATO-s për vendosjen e shpejtë të forcave ë periudha të shkurtëra kohore, në rajonet ku një gjë e tillë do të mund të ishte e nevojshme.

“Kjo stërvitje vërteton dhe demonstron përkushtimin e vazhdueshëm të bashkësisë ndërkombëtare ndaj paqes, qëndrueshmërisë dhe sigurisë në Kosovë, për qytetarët e saj dhe rajonin në tërësi”, tha ai.

Në stërvitjet, të cilat sic tha zoti Thomson, kanë për qëllim verifikimin e trupave rezervë, është paraparë të marrin pjesë rreth 6 mijë e 500 pjestarë të forcave të NATO-s dhe disa vendeve partnere të saj, ndërsa operacionet do të udhëhiqen nga komanda e NATO-s për Evropën Jugore.

“Ky është një demonstrim i planifikuar tashmë një kohë të gjatë i përkushtimit të NATO-s për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajo, tha zoti Thomson duke nëvizuar se këto stërvitje nuk kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit në Kosovë”, duke ju referuar incidenteve të dhunshme të këtij muaji gjatë të cilëve, shtatë veta u vranë dhe mbi dhjetë të tjera u plagosën, në zona të ndryshme të Kosovës.

Stërvitja e trupave të NATO-s, përkon me periudhën e amnestisë së shpallur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara për dorëzimin e armëve të paligjshme. Forcat paqëruajtëse të udhëheqaura nga NATO-ja në Kosovë, kanë mbështetur këtë amnesti, e treta me radhë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Deri tani rreth 18 mijë armë janë shkatërruar nga forcat e KFOR-it, të cilat kanë vazhduar operacionet e kërkimit dhe zbulimit të armëve të tilla. Sipas një studimi të programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, nga 330 mijë deri në 460 mijë armë ndodhen ende në duart e qytetarëve të Kosovës.

//ss//

XS
SM
MD
LG