Lidhje

Projekti Apollo-përpjekje e sukseshme për vajtjen e njeriut në Hënë - 2003-08-25


Vendimi për të shkuar në Hënë u mor në maj të vitit 1961. Presidenti Xhon Kenedi e shprehu këtë synim në një fjalim para Kongresit dhe popullit amerikan. Ai tha se një amerikan duhet të shkonte dhe të kthehej shëndoshë e mirë nga Hëna para fundit të viteve 60.

Në atë kohë, programi sovjetik i hapësirës ishte shumë më i përparuar se ai amerikan. Bashkimi Sovjetik lëshoi satelitin e parë në orbitën e Tokës dhe një anije sovjetike e hapësirës ishte e para që dërgoi instrumente në Hënë. Një kozmonaut sovjetik u bë njeriu i parë në hapësirë.

Shtetet e Bashkuara sapo kishin dërguar astronautin e tyre të parë për një fluturim në hapësirë, Alan Shepard, fluturimi i të cilit me anijen e vogël Merkuri zgjati vetëm 15 minuta.

Nisjen e një njeriu në Hënë e paraprinë shumë përgatitje. Një program i veçantë, Xhemini përgatiste astronautët për fluturimin, inxhinierët e NASA-s po ideonin dhe ndërtonin anijen e hapësirës Apollo.

Nga fundi i vitit 1966, zyrtarët e NASA-s e konsideruan anijen Apollo gati për fluturime prove dhe tre astronautë u caktuan për fluturimin e parë me njerëz në këtë anije. Ata ishin Virgil Grissom, Eduard Uajt dhe Roxher Cafi. Një ditë, ndërsa ata po bënin prova me paisjet, në anije plasi një zjarr dhe ata vdiqën të djegur nga flakët, duke u shndërruar në amerikanët e parë që humbnin jetën në një program të hapësirës.

Inxhinierët e projektuan dhe e ndërtuan prapë modulin e komandës së anijes Apollo dhe skicuan një derë tjetër që mund të hapej më me lehtësi.

Në nëntor të vitit 1967 raketa Saturn-5 ishte gati për një fluturim provë. Prova pati sukses dhe raketa e lëshoi anijen Apollo më shumë se 18 mijë kilometra lart në atmosferë.

Astronautët fluturuan për herë të parë me Apollon në tetor të vitit 1968. Astronautët e anijes Apollo 7, Uolter Shirra, Uolter Kaningam dhe Donn Ajsili fluturuan në orbitën e Tokës për 11 ditë. Dhe për herë të parë, ata transmetuan drejtpërdrejt në televizion pamje të njerëzve në orbitë.

Më 21 dhjetor 1968, nën sytë e mijëra njerëzve, filloi fluturimi Apollo 8 për në Hënë. Në anije ishin astronautët Frank Borman, Xhejms Lovell dhe Uilliam Anders. Pas tri ditësh Apollo-8 doli në orbitën e Hënës.

Më 24 dhjetor astronatutët bënë një transmetim televiziv në Tokë, duke e përshkruar sipërfaqen e Hënës si një vend të çuditshëm, gri dhe të vetmuar. Njerëzit mund të shihnin pamjet e Hënës. Apollo-8 u kthye në Tokë pa probleme.

Pas kësaj, u provua me fluturimin Apollo-9 aftësia e mjetit që do t’i ulte astronautët në sipërfaqen e Hënës, ndërsa në maj të vitit 1969 Apollo-10 provoi modulin që do të ulej në Hënë, duke iu afruar sipërfaqes së saj deri në 13 kilometra. Astronautët e përshkruan Hënën në një transmetim për radio dhe televizion. “Është si argjilë e lagur, thanë ata. Si një shtrat lumi i thatë në New Meksiko, apo Arizonë”.

Më 23 maj, Apollo 10 u nis për t'u kthyer në Tokë. Prova e fundit ishte bërë. Apollo ishte gati për t’u ulur në Hënë.// lk //

XS
SM
MD
LG