Lidhje

Surroi: Transferimi i kompetencave - sfida kryesore për Kryeadministratorin e ri të Kosovës - 2003-08-25


Botuesi i gazetës Koha Ditore në Prishtinë, Veton Surroi tha se detyra e parë administratorit të ri të Kosovës, Harri Holkeri do të ishte të ndihmojë në procesin e transferimit të kompetencave drejt institucioneve vendore, pra të aftësohet Kosova që të marrë vendime në emrin e saj. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Surroi tha gjithashtu se pjesë e këtij procesi do të duhej të ishte edhe integrimi i pakicave.

EB: Zoti Surroi, zakonisht, ardhja e një përfaqësuesi të ri të UNMIK-ut në Kosovë shoqërohet me një periudhë të muajit të mjaltit, siç mund ta quajmë. Pra, gjërat shkojnë mirë për një farë periudhe ndërsa më vonë lindin fërkime. Çfarë duhet të presin shqiptarët tani nga zoti Holkeri?

VETON SURROI: Nuk mendoj se mund të presim shumë, gjegjësisht zoti Holkeri vjen brenda një procesi tashmë të përpunuar. Ai proces ka të bëjë me dy prioritete themelore që kanë Kombet e Bashkuara në Kosovë. Së pari të kalojnë sa më shpejtë kompetencat administrative te qeveria e Kosovës dhe institucionet në tërësi dhe së dyti sipas të gjitha indicieve besoj se ai do të përqendrohet edhe në çështjen e minoriteteve gjegjësisht dialogut ndëretnik, apo të mardhënieve ndëretnike, në mes të shqiptarëve dhe serbëve në veçanti.

EB: Zoti Surroi, Zoti Holkeri ka qenë kryeministër i Finlandës, një figurë e njohur në komunitetin ndërkombëtar por pa ndonjë përvojë të drejtpërdrejtë në Ballkan, siç kanë patur administratorët e mëparshëm. A mendoni se kjo mund të përbëjë një problem në mënyrën se si ai do të përpiqet të zgjidhë probleme të tilla si marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë apo marrëdhëniet ose bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit?

VETON SURROI: Unë mendoj fillimisht se detyra e tij do të duhej të ishte të administronte Kosovën, gjegjësisht të ndihmojë në procesin e transferimit të kompetencave, pra të aftësojë Kosovën që të marrë vendime në emrin e vet. Nga ana tjetër unë mendoj se pjesë e këtij procesi do të duhej të ishte edhe integrimi i minoriteteve dhe në këtë drejtim mund të ndihmojë fakti që nuk ka qenë pjesë e një tradite ballkanike. Megjithatë ajo që objektivisht do të mund ti pengonte nga aspekti i kulturës politike prej nga vjen zoti Hokeri është po që se përpiqet që të bëhet ndërmjetës në dialogun apo negociatat në mes Prishtinës dhe Beogradit. Këto nuk janë çështje për kryeadministratorin, këto janë çështje për Uashingtonin dhe Brukselin.

EB: Zoti Surroi, cilat janë disa nga çështjet më të rëndësishme që do të kërkojnë vemendjen e menjëhershme të zotit Holkeri?

VETON SURROI: Po varet nga prioritetet e tij por unë do të thoja se duhet të shpejtojë procesin e bartjes së kompetencave e kjo nënkupton një prerje radikale që do të thotë se të gjitha kompetencat, përjashtuar ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Kosovës duhet të kalojnë te kosovarët. Së dyti, duhet të vendoset rendi dhe ligji në tërë territorin e Kosovës dhe kjo duhet të bëhet poashtu përmes forcimit të institucioneve të rendit autoktone, pra kosovare dhe këtu flas për policinë vendore, për shërbimin e zbulimit vendor pra për tërë atë që quhet zinxhir i ruajtjes së rendit dhe ligjit. Natyrisht, kjo do të nënkuptonte poashtu aftësinë e Kosovës që brenda rezolutës 1244 të zhvillojë kontaktet e veta ndërkombëtare, pra të krijojë platformën e vet ndërkombëtare dhe kështu radhazi. Frikohem megjithatë se ashtu si edhe çdo kryeadministrator tjetër i cili e fillon me një ambicie dhe pas një kohë zihet në probleme të përditshme. Siç shihet në Kosovë probleme të përditshme ka edhe do të ketë që nga mungesa e energjisë elektrike deri te ndonjë problem tjetër që mund të dalë në sektorin e sigurisë e të tjera.

EB: Ndërkohë, zoti Holkeri do të jetë shefi i parë i UNMIK-ut që do të ketë rastin të provojë të ulë të dyja palët në bisedimet për çështjet teknike. Sa mendoni se do t’ia arrijë ai që ta bëjë këtë dhe të ketë sukses?

VETON SURROI: Po siç thashë edhe pak më parë, nuk mendoj se është puna e tij që të merret me çështjen e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky është një problem i institucioneve autoktone kosovare dhe Beogradit. Dhe për këtë gjë mendoj se duhet të përgaditet si Prishtina si Beogradi, ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare gjegjësisht Uashingtoni dhe Brukseli për të pasur sukses në negociata dhe nuk flas këtu për çështje praktike a teknike siç quhen këto sepse këto janë çështje të kota domethenë nuk ekzistojnë çështje as teknike as praktike por ekzistojnë negociata dhe brenda këtyre negociatave trajtohen të gjtha çështjet.

XS
SM
MD
LG