Lidhje

Një tjetër ushtar amerikan vritet në Irak - 2003-08-26


Sot në Irak u vra një ushtar amerikan, duke bërë që numri i trupave amerikane të vrarë atje pas luftës ta kalojë numrin e atyre që humbën jetën gjatë luftimeve në shkallë të gjerë.

Ushtria amerikane thotë se një ushtar u vra dhe dy të tjerë u plagosën nga një sulm me bombë në afërsi të qytetit Hamarija, në veriperëndim të Bagdadit.

Qendrore Amerikane tha se një ushtar tjetër vdiq dje nga një aksident rrugor në Irakun Verior.

Me incidentet e fundit, 139 ushtarë amerikanë janë vrarë në Irak që kur Presidenti Bush dekaroi se luftimet në shkallë të gjerë kishin marrë fund. 62 prej tyre humbën jetën nga zjarri i armikut.

Para 1 majit, në Irak kishin gjetur vdekjen 138 ushtarë amerikanë, 116 në luftime dhe 22 në incidente të tjera.

LUFTA KUNDER BANDAVE KRIMINALE

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë gjithashtu, se forcat amerikane kryen një sulm ndaj disa shtëpive në qytetin Khalis, 100 kilometra në veri të Bagdadit, si pjesë e një operacioni që synonte asgjësimin e bandave lokale, të cilat thuhet se janë autorët e krimeve dhe veprimeve terroriste gjatë muajve të fundit.

Udhëheqësi i bandës, Lateef Hamad al-Kubaishat, ka qenë dënuar disa herë me burgim të përjetshëm por ai u lirua tetorin e kaluar, pas një amnistie të përgjithshme, për të cilën dha urdhër presidenti i atëhershëm, Sadam Hussein. Zyrtarët e koalicionit thonë se Lateef kërkohet nën akuzat për vendosjen e bombës në një stacion policie në qytetin Babouq, ku u vra një ushtar amerikan.

Lateef akuzohet se i ka vënë zjarrin një gjykate lokale, me synimin për zhdukjen e dokumenteve mbi krimet e kryera në Irak, që përfshinin kontrabandë armësh dhe vrasje. Zyrtarët thonë se banda e Latifit përpiqet të destabilizojë rajonin, në mënyrë që ai të mund të vazhdojë veprimtarinë e tij kriminale, pa u ndëshkuar.

Ky inkursion i forcave të koalicionit pason një demonstratë që u zhvillua dje para zyrave të forcave të koalicionit në Bagdad, me pjesëmarrjen e disa qindra njerëzve, të cilët protestonin për mungesën e sigurisë, që nga koha kur koalicioni nën udhëheqjen e forcave amerikane mori kontrollin e Irakut. Udhëheqësit irakianë thonë se qindra civilë po vriten çdo muaj, shumica viktima të krimit, hakmarrjes personale, apo plumbave qorrë.

Demonstrata vjen pas atentatit për vrasjen të dielën të një kleriku të njohur shiit në qytetin Naxhaf. Nga ky atentat u vranë tre nga rojet e tij personale. Demostrata gjithashtu pason disa ditë përleshjesh midis pjesëtarëve të popullsisë etnike kurde dhe turkmene, përreth qytetit verior të Kirkukut, gjatë të cilave u vranë të paktën dhjetë vetë.

//rd//

XS
SM
MD
LG