Lidhje

Holkeri: Është koha për fillimin e bisedimeve me Beogradin - 2003-08-26


Adminstratori i Kosovës, Harri Holkeri, tha sot se, tash është koha e duhur për fillimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për zgjidhjen e cështjeve teknike. Ai i bëri këto komente pas takimeve me ushehheqësit kryesor të institucioneve të Kosovës. Zoti Holkeri tha, se pas këtyre takimeve mund të nxirren përfundime rreth kohës dhe vendit të fillimit të këtyre bisedimeve dhe cështjeve që do të shtrohen ne to.

“Prej meje është kërkuar që të bëjë gjithë cfarë është e mundur që të ulë të dyja palët në tryezën e bisedimeve. Dhe në këtë pikëpamje, jam edhe ndërmjetësues në këto bisedime dhe se si administrator i Kosovës, duhet të jem i paanshëm, mirëpo nuk do të lejojë bashkëqeverisje me askë”, tha ai.

Zoti Holkeri përsëriti qëndrimin se “statusi politik i Kosovës nuk do të vendoset as nga Beogradi e as nga Prishtina, por nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara”. Në këtë mënyrë, ai është përgjigjur shqetësimeve që kanë zgjuar në Kosovë veprimet politike të Beogradit, kundruall Kosovës.

Mirëpo, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha ndërkaq se këto veprime mund të dëmtojnë rëndë synimet për fillimin e bisedimeve. “Ne Beogradin e njohim. Për fat të keq ata e vazhdojnë politikën e vjetër, por gjithsesi kjo do të ndikojë edhe në atë që mendohet se mund të bisdohet për disa cështje praktike me Beogradin, që ishte një sinjal nga takimi i Selanikut. Por, këto vërtetë i vështirësojnë dhe nëse mund të themi, nuk dua të jem ekstrem, por pamundësojnë edhe fillimin e bisedimeve për cështje praktike”, theksoi presidenti Rugova.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, tha se bisedimet janë përparësi, por jo edhe cështja kryesore për institucionet e Kosovës. “Kërkuam që edhe procedura të njihet, sepse ne në bisedime shkojmë me Unionin Serbi-Mali i Zi, ndërsa kë ata e caktojnë është cështje tjetër, por dihet se me ata do të ketë dialog. Poashtu, nomenklaturat të jenë të baraspeshuara sipas pozitave të njëjta”, tha kryeministri Rexhepi.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci, rikonfirmoi qëndrimin se bisedimet mund të kenë sukses vetëm me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Unë nuk do ta përkrahë dialogun në Bruksel. Ai nuk është vend i aspiratave të Kosovës për dialog. Brukseli është synim yni për t’u integruar në Bashkësinë Evropiane. Brukseli nuk i ka ofruar Kosovës vizion në asnjë periudhë, madje as gjatë okupimit. Ka qenë Washingtoni ai…”, theksoi mes tjerash zoti Daci.

//rd//

XS
SM
MD
LG