Lidhje

Mbaron dita e parë e bisedimeve mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut - 2003-08-27


Në Pekin u mbyll dita e parë e bisedimeve gjashtëpalëshe mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut pa ndonjë shenjë marrëveshjeje të mundshme.

Anëtarët e delegacioneve nga Kina, dy Koretë, Japonia, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara diskutuan sot me dyer të mbyllura, në një atmosferë që vendi organizator, Kina e cilësoi si të ngrohtë dhe të qetë. Por Rusia tha se bisedimet ishin në një gjendje të brishtë dhe se nuk ka shumë vend për optimizëm.

Agjencia japoneze e lajmeve, Kyodo thotë se Koreja e Veriut u bëri edhe një herë thirrje Shteteve të Bashkuara që të nënshkruajnë një traktat mos sulmimi. Kyodo citon burime të paidentifikuara të qeverisë japoneze që thonë se kjo thirrje u hodh poshtë.

Delegacionet e Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut zhvilluan një takim kokë më kokë, që thuhet se zgjati 30 minuta. As Shtetet e Bashkuara, as Koreja e Veriut nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht takimin. Washingtoni ka përjashtuar mundësinë e nënshkrimit të një pakti mos sulmimi me Phenianin, por ka ofruar një garanci me shkrim se nuk ka plane të ndërhyjë ushtarakisht në Korenë e Veriut. Kina, vendi që organizon takimin ka këmbëngulur se bisedimet e Pekinit mund të krijojnë kushtet për kompromis. //rd//

XS
SM
MD
LG