Lidhje

Haradinaj: Veprimet e Beogradit dëmtojnë situatën në rajon - 2003-08-27


Marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit janë në një klimë të tensionuar, ndërkohë që Kosova ka një administrator të ri. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i dha të mërkurën Zërit të Amerikës një intervistë lidhur me situatën e krijuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, ju patët sot një takim me administratorin e ri të Kosovës, Harri Holkeri. Cilat janë përshtypjet tuaja nga ky takim? A është ai njeriu me të cilin ju dhe përfaqësuesit e tjerë politikë të shqiptarëve të Kosovës do të mund të punoni në harmoni?

Ramush Haradinaj:Mendoj që Holkeri në Kosovë, është në periudhën kur po njihet me Kosovën. Konsideroj se veprimtaria e tij ditët e para në Kosovë është premtuese, kontaktet dhe marrja e opinioneve. Përshtypja ime është se ne do të mund të bashkëpunojmë dhe se do të mund t’i bashkojmë prioritetet, ato që i ka sjellë në një mënyrë Holkeri në Kosovë dhe ato që ne i kemi në përputhje me gjithë procesin që zhvillohet në Kosovë.

Zëri i Amerikës:Zoti Haradinaj, cili është reagimi juaj ndaj mbledhjes që u zhvillua sot në parlamentin e Serbisë. A mund të ndikojë kjo mbledhje dhe nëqoftëse miratohet deklarata e qeverisë së Serbisë,(shën. i redaksisë: intervista me zotin Haradinaj u mor para miratimit të deklaratës) si mund të ndikojë kjo në bisedimet e planifikuara për çështjet teknike midis Prishtinës dhe Beogradit?

Ramush Haradinaj:Ajo që po ndodh në Beograd nuk ka kuptim, nuk ka as legjitimitet demokratik dhe është diçka e dëmshme për procesin në të cilin ndodhet rajoni dhe sidomos për përpjekjet që po bëjmë në Kosovë ne populli i Kosovës, duke përfshirë të gjithë dhe bashkësia ndërkombëtare për ndërtimin e një shoqërie të funksionueshme. Mendoj se kjo që ndodh sot në Kosovë nuk është fare reflektim i asaj që vepron Beogradi, por ne po ndërtojmë procesin që ne ndodhemi. Nga ana jonë nuk do t’i përgjigjemi këtyre veprimeve me kontestim, apo me hezitim për pjesëmarrje në biseda teknike, por edhe ne në institucionet e Kosovës, në nivelin në të cilin vepron Serbia sot, do t’i përgjigjemi pra duke zbatuar vullnetin politik të popullit të Kosovës dhe duke kryer përgjegjësitë tona. Ndërsa dallimi i gjithë kësaj është sipas meje dhe sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, se ne kemi legjitimitet demokratik, sepse jemi njerëzit e zgjedhur të Kosovës, ndërsa ajo që ndodh sot në Serbi, në Beograd me deklaratën është diçka jo demokratike dhe është një agresion kushtetues ndaj Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, a mund të thuhet se tani në Kosovë ekziston një strategji e përbashkët midis partive të ndryshme politike mbi marrëdhëniet me Serbinë dhe mbi çështjet e bisedimeve me Beogradin?

Ramush Haradinaj:Ka një gadishmëri të plotë në Kosovë nga të gjithë ne që të gjitha ato çështje që u përgjigjen kërkesave të qytetarëve, çështjet që kanë të bëjnë me kërkesa jetike të trajtohen megjithëqë situata, mundësitë tona për bashkëpunim, sidomos me Beogradin janë vazhdimisht të penguara nga zhvillimet politike në Beograd. Ne kemi harmoni në përputhje me hapat që do të ndërmarrim në ndërtim të vullnetit tonë politik. Ajo që kisha pasë me thënë në këtë rast edhe me shprehë një papajtueshmëri në disa konstatime, ose disa vlerësime se veprimet e njëanshme do të sjellin rezultat, bashkësia ndërkombëtare në Kosovë do të përballet një ditë me faktin: A do t’i njihet popullit të Kosovës një liri e plotë, një demokraci e vërtetë në të cilën edhe populli i Kosovës, si çdo popull tjetër mund të deklarohet për të ardhmen e vet, apo do t’i imponohet një zgjidhje? Forma si veprohet sot nga Beogradi është një formë e vjetër e imponimit të vullnetit të një pale, ndërsa forma si veprojmë ne në Kosovë, në institucionet e Kosovës dhe në bashkëpunim dhe bashkëveprim me bashkësinë ndërkombëtare është implementim i një vullneti të lirë politik, por që implementohet në mënyrë demokratike në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, a janë të vetëdijshëm shqiptarët e Kosovës se në zgjidhjen e statusit përfundimtar nuk mund të ketë përparim deri sa shqiptarët të gjejnë mënyrat për të respektuar të drejtat e pakicave për të jetuar krah për krah me banorët e tjerë të Kosovës?

Ramush Haradinaj:Kjo është një çështje e cila mund të them se ka depërtuar në mendjen e secilit prej nesh e mendoj e gjithë qytetarëve të Kosovës. Shumica shqiptare e ka fare të qartë se ka obligim për pakicat në Kosovë, për të gjitha pakicat dhe po ashtu përpjekjet më të mëdha, ose puna më e madhe tani po bëhet konkretisht për pakicën serbe në Kosovë, që serbëve të Kosovës t’u garantohet dhe që ata të besojnë që kanë një të ardhme në Kosovë. Ky proces nuk është edhe aq i lehtë dhe këtu mund të them se bashkësia ndërkombëtare po bën një punë shumë të mirë dhe në bashkëveprim të institucioneve të Kosovës, të bashkësisë ndërkombëtare dhe me garancitë që do të japë qeveria e Kosovës, do të japin institucionet e Kosovës, jam i bindur se kjo veç po dëshmohet në përditshmëri. Është tjetër realiteti, apo ato që ndodhin kohë pas kohe në Kosovë, si incidentet që janë të izoluara, të dënuara nga populli i Kosovës dhe të cilat nuk duhet të kthehen në pengesë për synimet që kemi për jetë të sigurt për të gjithë, por sidomos nuk duhet të ngjallim huti tek pakicat, apo nuk duhet të keqpërdoren edhe nga qarqe, sikurse ka ndodhur nga Qendra Koordinuese për Kosovën. //kk//

XS
SM
MD
LG