Lidhje

SHBA kërkon krijimin e një force shumëkombëshe në Irak - 2003-08-28


Franca thotë se do ta përkrahte atë që ajo e cilëson si një forcë të vërtetë ndërkombëtare për Irakun, por nuk është e qartë nëse një ide e shprehur nga administrata amerikane mund të marrë mbështetjen e Kombeve të Bashkuara.

Ministri i jashtëm francez Dominique de Villepin tha sot se thjesht zgjerimi i një force nën komandën amerikane dhe britanike nuk do të ishte i mjaftueshëm.

Ai nuk iu referua drejtpëdrejt një propozimi të bërë nga Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Richard Armitage, për një forcë shumëkombëshe të autorizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të komanduar nga një gjeneral amerikan.

Kjo është hera e parë që zyrtarët amerikanë lënë të kuptohet se ata mund të jenë të gatshëm tu japin Kombeve të Bashkuara rol udhëheqës në Irak. Zoti Armitage tha se kjo ide është mes shumë propozimeve që po shqyrtohen.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë mënyra për të ndarë përgjegjësinë për misionin paqeruajtës dhe operacionin e rindërtimit.

Disa vende, përfshirë Francën, kanë thënë se nuk do të dërgojnë trupa në rajon nëse forca paqeruajtëse nuk është nën komandën e Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, një ushtar britanik u vra mbrëmë dhe një tjetër u plagos në një incident në afërsi të qytetit jugor irakian të Basrës. Zyrtarët thonë se ushtari u vra kur kundër patrullës së tij u hap zjarr nga një turmë irakianësh gjatë një ballafaqimi midis dy palëve. 10 irakianë u arrestuan pas incidentit.

//rd//

XS
SM
MD
LG