Lidhje

Halimi: Polemikat Prishtinë-Beograd kanë shtuar tensionet në Luginën e Preshevës - 2003-08-29


Gjendja në Luginën e Preshevës është tensionuar dukshëm pas një seri incidentesh kohëve të fundit dhe akuzave të ndërsjellta midis qeverisë së Serbisë dhe udhëheqësve vendorë shqiptarë. Disa vëzhgues kanë shprehur shqetësim për mundësinë e shpërthimit të një konflikti të ri në tri komunat e Serbisë Jugore, të banuar kryesisht nga shqiptarët: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Për të diskutuar mbi gjendjen në Luginën e Preshevës, Zëri i Amerikës intervistoi zotin Riza Halimi, Kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe Kryetar i Kuvendit të Komunës së Preshevës.

Zëri i Amerikës: Zoti Halimi, sa shqetësuese është gjendja në Luginën e Preshevës pas incidenteve të fundit dhe a ekziston rreziku i përsëritjes së zhvillimeve të para dy-tre vjetëve?

Riza Halimi: Po, është fakt, që ka rritje të tensioneve politike. Është e arsyeshme që ka edhe shqetësime të popullatës pas dy shpërthimeve të fundit dhe me të drejtë kërkojnë të gjithë subjektet këtu, që strukturat përkatëse dhe organet kompetente, në vend të deklaratave verbale, të merren më tepër me obligimet e tyre për të ruajtur rendin dhe qetësinë në vend. Natyrisht, janë të arsyeshme pyetjet se ç’ka pas gjithë këtyre rrjedhjeve. Mendoj se është e papërsëritshme situata që kemi patur para dy viteve, me konfliktet e armatosura, por megjithatë, këto shqetësime shpien në drejtim të kërkesave krejtësisht reale, krejtësisht të arsyeshme, që procesi i filluar politik të përshpejtohet dhe të duhet një zgjidhje praktike, reale, e të gjitha problemeve që janë të grumbulluara këtu prej kohësh. Kjo tregon, se nuk ka më tolerancë për mosangazhim, por është dashur, që struktura shtetërore të përshpejtojë urgjentisht procesin e zgjidhjes së krizës në Luginën e Preshevës.

Zëri i Amerikës: Zoti Halimi, cilët janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në tensionimin e gjendjes? Siç e dini edhe ju, qeveria serbe fajëson grupe të armatosura dhe forcat ekstremiste shqiptare.

Riza Halimi: Faktori i parë, është dinamika e pamjaftueshme e zgjidhjes së problemeve, të cilat janë evidentuar në periudhën e kaluar, por shumë pak është punuar për zgjidhjen e këtyre problemeve. Gjithësesi, nuk duhet të mohohet edhe faktori i ndikimit të rrjedhave dhe ngritjes së tensioneve në marrëdhëniet Prishtinë-Beograd. Këto janë reflektuar drejtpërdrejt në Luginën e Preshevës dhe shihet edhe kësaj radhe, këto kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në këtë rajon. Natyrisht, ka edhe ndikime të tjera, por unë besoj që kjo që u paralajmërua me bisedat në marrëdhëniet Prishtinë-Beograd dhe implikimet dhe deklaratat politike, të përfshihen, apo jo, shqiptarët e Luginës së Preshevës në këtë dialog të paralajmëruar, unë besoj se kemi të bëjmë me dy procese, të cilët kanë pika të përbashkëta. Shumë çështje praktike, që priten të zgjidhen lidhur me çështjen e Kosovës, do ta ndihmojnë zgjidhjen e problemeve të shumta edhe në Luginën e Preshevës dhe gjithësesi në këtë drejtim jam i bindur se sado që të ulen tensionet mes Prishtinës dhe Bogredit, kjo do të ndikonte edhe në uljen e tensioneve në Luginën e Preshevës. Dhe e kundërta, çdo ngritje e tensioneve në marrëdhëniet Prishtinë-Beograd, gjithësesi, shton tensionimet dhe të gjitha këto shqetësime, të cilat ne po i përjetojmë këto ditë.

Zëri i Amerikës: Zoti Halimi, çfarë masash po merrni ju dhe përfaqësuesit e tjerë vendorë shqiptarë për uljen e tensioneve? Në çfarë niveli janë kontaktet tuaja me qeverinë e Beogradit dhe sa të rregullta janë ato?

Riza Halimi: Ka kontakte, mirëpo normalisht, ato do të ishin më të rregullta, po qe se do të arrinin me kohë ta reformonin Këshillin Koordinues, ku parashifej të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit shqiptarë, por edhe përfaqësuesit e ministrive, që ka rëndësi jetësore për këtë rajon. Mjerisht, edhe më tutje, ky Këshill koordinues ka strukturën e njëjtë që kishim gjatë konflikteve. Natyrisht, që këtu një rol të posaçëm e ka faktori ndërkombëtar. Është sipas të gjitha gjasave, arritja më e madhe e Marrëveshjes së Konçulit të vitit 2001, pikërisht se bashkësia ndërkombëtare obligimet që i mori, mundohet që t’i zbatojë në mënyrë të vazhdueshme, por gjithësesi është dashur që përveç OSBE-së, që ka realizuar disa projekte, USAID, që është e pranishme me investimet, të përfshihet një spektër më i gjerë i organizatave ndërkombëtare për realizimin e projekteve, që këtu janë me rëndësi jetësore, që shqiptarët të përfshihen në srukturat shtetërore dhe t’i zgjidhin problemet e tyre jo vetëm nga fusha e të drejtave të njeriut, por edhe nga ajo e të drejtave kolektive. Natyrisht, duhet të kemi një përshpejtim të zhvillimit ekonomik, meqë pushteti në të kaluarën, këtë zonë e kishte lënë krejtësisht pas dore.

XS
SM
MD
LG