Lidhje

Kulturë e re për mjekët e rinjë në Shtetet e Bashkuara - 2003-08-29


Në spitalet ku mjekët e rinj bëjnë praktikën në Shtetet e Bashkuara, ka filluar të ndryshojë kultura e punës. Deri tani mjekët e sapodalë nga bankat e shkollës punonin 15 orë në ditë duke kuruar pacientët, duke dhënë receta për barna dhe duke ndihmuar në operacione. Ata ishin në gatishmëri 24 orë në ditë dhe ndonjëherë kirurgët e rinj punonin 140 orë në javë.

Por një gjë e tillë ka ndryshuar dhe janë vënë kufizime, duke përcaktuar një maksimum prej 80 orësh pune në javë për mjekët e rinj, për të pakësuar lodhjen pra për të mos vënë në rrezik pacientët. Por në materialij që vijon thuhet se disa mjekë druhen se kështu nuk do të mësojnë sa ç’duhet gjatë praktikës:

Pacientët që vijnë në qendrën e traumave të spitalit Harborview janë qëlluar me armë zjarri, janë goditur me thika, janë djegur, ose kanë dëmtime të tjera të rënda trupore. Detyra e kirurgëve që bëjnë praktikën është që t’i operojnë.

Stephen Sullivan, që prej tre vjetësh bën praktikën aty, ka 24 orë që punon. Ai thotë se ndjehet i çlodhur. Por nuk është gjithmonë kështu, sidomos në sallën e urgjencave, thotë ai. “Gjatë asaj periudhe 24 orëshe, as nuk mund të hash, as të pish, nuk shkon dot në banjë dhe as që bëhet fjalë për t’u ulur ose fjetur”.

Shqetësimet për rraskapitjen e mjekëve të rinj dhe shëndetin e pacientëve e kanë nxitur Këshillin e Arsimit Mjekësor Pasuniversitar të vendosë rregulla të reja. Tani praktikantët si Stephen Sullivan, që punonin mbi 100 orë në javë, nuk mund të punojnë më shumë se 80.

Kirurgu Avery Nathans drejton njësinë për rastet kritike në Harborview. Ai thotë se orët e zgjatura të punës janë të pritshme në fushën e mjekësisë, por ndonjëherë është pak si shumë për praktikantët. Doktor Nathan përmend një rast në New York para 20 vjetësh, kur një 18 vjeçare vdiq në spital nga temperatura e lartë, nga vendimi i mjekëve të stërlodhur dhe pa gjumë.

Doktor Nathans është në favor të pakësimit të orëve të punës veçanërisht për shkak të kushteve të pacientëve sot, krahasuar me të kaluarën. “Shumë nga pacientët që janë tani në spital, nuk do të kishin mbijetuar para disa dekadash, sepse nuk kishim teknologjinë e duhur. Për këtë arsye këta pacientë kanë nevojë për shumë më tepër kujdes. Kështu një ditë pune 12 orëshe për një praktikant sot është shumë më intensive se sa një ditë 12 orëshe para 20 vjetësh. Pacientët janë shumë më të sëmurë dhe ka shumë më pak hapësirë për gabime”, thotë ai.

Megjithatë për mjekët e rinj ky ndryshim nuk do të jetë i lehtë. Atyre u duhet të pranojnë faktin se nuk mund të kujdesen për një pacient që nga salla e urgjencës derisa ai të shërohet. Doktor Sullivan shqetësohet se nuk do të ketë praktikë të mjaftueshme kur të marrë liçencën e mjekut.

Por ka edhe një problem tjetër: spitalet nuk kanë para për të mbushur zbrazëtirën e krijuar nga mjekët që tani punojnë një të tretën e orëve që punonin më parë. Spitalit Harborview dhe dy të tjerëve në Siatëll që punojnë me mjekë praktikantë u duhen 4 milionë dollarë për të marrë në punë infermierë dhe ndihmësmjekë të mjaftueshëm për të plotësuar mungesat e shkaktuara nga pakësimi i orëve të praktikantëve.

Dekada e ardhshme ka mundësi të sjellë studime të reja lidhur me javën e punës 80 orëshe, për të parë nëse sistemi i ri do të sjellë kirurgë po aq të mirë ose më të mirë sesa ata të brezave të kaluar.

XS
SM
MD
LG