Lidhje

Të paktën 75 veta humbasin jetën nga një shpërthim në Irak - 2003-08-29


Shpërthimi i një makine bombë pranë një vendi të shenjtë për myslimanët shiitë në Naxhaf, shkaktoi vdekjen e të paktën 75 vetëve, mes së cilëve një nga udhëheqësit më të rëndësishëm shiitë.

Zyrtarët e spitalit që njoftuan për shifrën e të vdekurve thanë se dhjetra të tjerë u plagosën dhe se numri i viktimave mund të rritet. Bomba shpërtheu ndërsa Ajatollah Mohammed Baqer al-Hakimi dhe besimtarët po largoheshin nga xhamia e Imam Aliut pas lutjes së të premtes. Të afërm të Ajatollah Hakimit dhe zyrtarë të Këshillit të Lartë për Revolucionin Islamik në Irak që ai kryesonte, e konfirmuan vdekjen e klerikut në shpërthim.

Kryeadministratori amerikan në Irak, Paul Bremer, tha se sulmi tregon se “armiqtë e Irakut të ri, nuk do të ndalen para asgjëje”. Ai u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe tha se forcat amerikane do të bashkëpunojnë me policinë e Irakut për të gjetur personat përgjegjës.

Bomba shpërtheu të premten pasdite para një vendi të shenjtë dhe pranë disa dyqanesh në Naxhaf, qytet i shenjtë për myslimanët shiitë, rreth 180 kilometra në jug të Bagdadit.

Të dielën, nga shpërthimi i një bombe gjetën vdekjen tre roje personale të një anëtari tjetër të familjes Hakim në Naxhaf. Pas shpërthimit zyrtarët shiitë thanë se sulmi mund të ishte kryer nga besnikët e Sadam Huseinit, ose mund të kishte qenë rezultat i luftës mes fraksioneve shiite.

Në një incident tjetër në veri të Bagdadit, zyrtarët e ushtrisë amerikane thanë se një ushtar amerikan u vra, kur kryengritësit qëlluan me granada një autokolonë në një rrugë kryesore në As Suajdat, pranë qytetit Bakuba. Tre ushtarë të tjerë u plagosën.//xh//

XS
SM
MD
LG