Lidhje

Dy ekstremistë palestinezë vriten nga raketat e helikopterëve izraelitë - 2003-08-30


Dëshmitarë thonë se dy anëtarë të grupit ekstremist palestinez, Hamas, u vranë nga sulmi më i fundit i helikopterëve izraelitë në Rripin e Gazës. Zyrtarë të spitalit i identifikuan të vrarët si Abdullah Akel dhe Farid Mayet, që të dy pjesëtarë të krahut ushtarak të Hamasit. Të paktën dy kalimtarë rasti u plagosën, kur helikopterët lëshuan katër raketa kundër një makine e cila po udhëtonte midis dy kampe refugjatësh në Gazën qëndrore.

Ky është sulmi i pestë me raketa nga ana e Izraelit kundër një objektivi të Hamasit gjatë 10 ditëve të fundit. Sulmi i mëparshëm të enjten vonë shkaktoi vdekjen e një ekstremisti të Hamasit, të cilin Izraeli e akuzonte se kishte ndihmuar në lëshimin e raketave kundër objektivave izraelite nga Gaza Veriore.

Të premten, forcat izraelite shkulën drurë portokallesh në Gazën Veriore, për të cilat, ato thonë se pjesëtarët e Hamasit po i përdornin si maskim për sulmet me raketa. Më vonë forcat izraelite u tërhoqën nga zona e Beit Hanunit dhe hapën përsëri një aks rrugor veri-jug në Gaza. Gjatë javës së kaluar, ekstremistët e Hamasit lëshuan më shumë se 12 raketa Qassam kundër objektivave në Izrael, përfshirë një që ra të enjtën në një zonë industriale pranë Ashkelonit, e cila është raketa që ka goditur më në thellësi të territorit të izraelit.

Izraeli tha se të gjithë anëtarët e Hamasit janë objektiva të mundshme pas shpërthimit në një autobus në Jeruzalem më 19 gusht, si pasojë e të cilit humbën jetën më shumë se 20 vetë.

//az//

XS
SM
MD
LG