Lidhje

Ohër: përfundon takimi i tetë presidentëve të vendeve të Evropës Juglindore - 2003-08-30


”Nuk ka qyteterime superiore dhe inferiore dhe as nuk ka raca, gjuhë dhe fe superiore ose inferiore dhe paqja e siguria në rajon janë të një rendësie të madhe për qendrueshmërinë e prosperitetin mbështetur në dilaogun e vazhdueshëm, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në strukturat evroatlantike”, thuhet në mesazh.

Presidenti shqiptar, Alfred Moisiu, nga ana e tij u tha gazetarëve se ”dialogu, paqja dhe mirëkuptimi duhet të jenë postulate mbi të cilat duhet të avancohet bashkëpuni i mirëfilltë rajonal dhe më gjërë”.

Presidenti Moisiu u takua me presidentin e Serbisë dhe Malit të Zi, Svetozar Maroviç, por gjatë bisedës me të vetëm sa e ka cekur çështjen e statusit të Kosovës sepse, siç tha, ”ky problem nuk ka të bëjë as me Serbinë e as me Shqipërinë”:

”Unë i thashë (zotit) Maroviç(-it) se problemin e së ardhmes së Kosovës do ta vendosin banorët e Kosovës, pra, jo vetëm shqiptarët, por të gjithë etnitë që bëjnë pjesë në Kosovë dhe organizmat ndërkombëtare, si OKB, NATO, BE, dhe Shtetet e Bashkuara”.

”Rajoni i Ballkanit nuk e ka të lehtë të shlyejë gjurmët e së kaluarës, por në asnjë moment nuk duhet harruar se edhe sot ekzistojnë ekstremistë nga të dy palët, shqiptare dhe serbe, të cilët duan ta helmojnë klimën e mirëkuptimit e të paqes”, tha presidenti Moisiu, duke shprehur megjithatë bindjen se çështja shqiptare ka hyrë në rrugën e duhur.

Në lidhje me Maqedoninë, ai tha se ajo ka nevojë të madhe për Shqipërinë në kuptimin e zhvillimit ekonomik, sepse ndërtimi i një pjese të Korridorit Tetë nëpër Shqipëri është një lehtësi e madhe për ekonominë e Maqedonisë. Presidenti shqiptar bëri të ditur se rruga Durrës - Qafëthanë parashikohet të përfundojë nga fundi i vitit.

Ndërkohë, Kryeadministratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Hari Holkeri, e cilësoi si ”të parëndësishme për të ardhmen e Kosovës” deklaratën e miratuar nga Parlamenti Serb.

Duke folur në një konferencë për gazetarë në Ohër, zoti Holkeri tha se vendimi që mori Parlamentit Serb ”ishte shumë i ashpër, por i parëndësishëm, pasi për të ardhmen e Kosovës do të vendoset në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB”.

Zoti Holkeri, edhe disa deklarata të shqiptarëve të Kosovës i quajti po ashtu të parëndësishme. Ai bëri të ditur se është duke biseduar me palën serbe dhe me shqiptarët e Kosovës për fillimin e dialogut.

Administratori Holkeri do të shkojë në Moskë javën që vjen, për këshillime me Grupin e Kontaktit e më pas në Bruksel. Ai ndërkohë tha se do të vazhdojnë përpjekjet që, së bashku me autoritetet maqedonase, të ketë zgjidhje praktike për problemet e banorëve që jetojnë në zonën kufitare. ”Askush, theksoi zoti Holkeri, nuk mund t’ia imponojë popullatës vendore se cilin vendkalim kufitar dëshiron të shfrytëzojë”. //az//

XS
SM
MD
LG