Lidhje

NASA duhet të korrigjojë gabimet, para fillimit të fluturimeve - 2003-08-31


Korigjimi i disa gabimeve të Nasës është detyra kryesore me të cilën përballet kryeadministratori i agjencisë, Sean O’Keefe, para se të niset një anije tjetër për vajtje-ardhje në hapësirë.

Ai i mori udhëzimet nga një komision hetuesish, të cilët arritën në përfundimin se shkaktarë për fundin tragjik të anijes Columbia janë si kultura e brendshme e Nasës edhe aksidenti me krahun gjatë lëshimit të anijes, që vulosi fatin e saj gjatë kthimit në Tokë.

Komisioni arriti në përfundimin se administrata e Nasës ndihmoi për të shkaktuar aksidentin, ngaqë është e izoluar, e ngurtë dhe plot mormarrëveshje. Anëtari i komisionit, John Logsdon, drejtor i Institutit për Politikën e Hapësirës, në Universitetin George Washington, thotë se Nasa e zhvilloi këtë kulturë gjatë ditëve trullosëse të programit të hershëm të hapësirës, kur ajo kishte një buxhet të madh në garën me Bashkimin Sovjetik, se kush do të zbriste i pari në Hënë.

“Nasa nisi të mendojë se ishte i vetmi vend, thuajse i përsosur, që në të vërtetë nuk i duhej të merrte informacion nga jashtë, sepse vetë Nasa ishte kompetente për gjithçka. Kjo ka ndodhur shumë kohë më parë, por ajo kulturë nuk ka ndryshuar në themelet e saj”, thotë ai.

Komisioni hetimor, i udhëhequr nga admirali, Harold Gehman, thotë se Nasa duhet të ndryshojë për të shmangur një tjetër fatkeqësi me një anije për vajtje-ardhje në hapësirë. Administratori i Agjencisë, Sean O’Keefe, thotë se ai është duke ndjekur me përpikmëri rekomandimet e komisionit.

“Ne e kuptojmë dhe e kemi të qartë se ku qendron çështja. As që e vëmë në diskutim se duhet të kemi parasysh parimet dhe vlerat që na udhëheqin në jetë si mjete për të përmirësuar objektivat e sigurimit, si edhe detyrën e madhe që ngrihet para nesh për të eksploruar dhe zbuluar në emër të popullit amerikan”, thotë ai.

Ndër të tjera hetuesit rekomandojnë që Nasa të ketë brenda saj autoritete të fuqishme që do të garantonin respektimin e standardeve të sigurisë dhe të kishin të drejtën për të ndaluar lëshimet e anijeve për vajtje-ardhje në hapësirë, në se nuk do të ishin zgjidhur problemet e sigurimit.

Ish-historiani i Nasës, Alex Roland, mendon se gjendja e tanishme është një jehonë shqetësuese e shpërthimit që ndodhi në vitin 1998 me anijen Challenger.

Ish-drejtuesja e programit të Nasës për eksplorimin e Marsit, Donna Shirley, tha në një intervistë me rrjetin televiziv, P-B-S se ndryshimi i kulturës në Nasa do të jetë i vështirë për një arsye tjetër. Agjencia është e decentralizuar.

Por komisioni hetimor fajësoi edhe politikanët që me kalimin e viteve i kanë pakësuar fondet e Nasës.

Komisioni ka bërë thirrje që të zhvillohet një debat në shkallë kombëtare mbi të ardhmen e fluturimeve me njerëz në hapësirë.//kk//

XS
SM
MD
LG