Lidhje

Në Tiranë, edhe socialistët hapën fushatën zgjedhore - 2003-09-01


Në Tiranë, edhe socialistët hapën fushatën zgjedhore

Folësit premtojnë vazhdimin e reformave në qeverisjen vendore

Partia Socialiste hapi sot fushatën për zgjedhjet e pushtetit vendor me një tubim në Pallatin e Kongreseve në valën e fjalimeve të drejtuesve kryesorë të saj, ku spikatën angazhimet për reformimin e administratës vendore dhe përmirësimin e infrastrukturës në qytete.

Kryetari i PS dhe kryeministri, Fatos Nano, tha se pushteti vendor gjatë tre vjetëve u dha një fytyrë perëndimore qytetev dhe komunave në të gjithë vendin. Ai tha se veprimtaria e zyrtarëve vendorë ka rritur edhe optimizmin e qytetarëve për një jetë më të mirë në të ardhmen. “Në tre vitet e ardhshme gjithë shtetasit e Shqipërisë do të jenë më shumë qytetarë të Europës. Sot anëtarët e komuniteteve vendore nuk janë më thjesht dhe vetëm zgjedhës, por ata janë përfitues të zhvillimit dhe protagonistë të progresit, që ka përfshirë cdo komunë e bashki të Shqipërisë. Kjo është garancia se vota për ne është pushtet për ju” - tha zoti Nano.

Zoti Nano tha se në pushtetin vendor ka nisur një reformë e thellë me decentralizimin e kompetencave, investime në infrastrukturë dhe koncepte, e cila duhet të vazhdojë nga të njëjtët drejtues të pushtetit vendor.

Ndërsa kryetari i rikandiduar i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, renditi në fjalën e tij dy herë më të gjatë se zoti Nano, një sërë veprimtarish bashkiake që sipas tij i kanë ndryshuar fytyrën kryeqytetit në infrastruturë dhe shërbime publike. “Të qenit bashkarisht në qeverisjen vendore dhe qendrore duhet të na bëjë të reflektojmë më thellë dhe të veprojmë më shpejt në funksion të decentralizimit të disa përgjegjësive, të cilat, është në të mirë të qytetit, qytetarëve dhe të vetë sistemit demokratik, që të jenë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryetarit të zgjedhur të bashkisë dhe e këshillit të zgjedhur bashkiak, dhe jo funksione rutinë të ministrive që duhet të bëjnë politika kombëtare në kuadrin e mandatit qeverisës të kësaj maxhorance socialiste dhe progresiste” - tha zoti Rama.

Ndërkaq, opozita e çeli fushatën e saj dy ditë më parë në të njëjtën sallë, ku shpalosi një program të detajuar reformash. Drejtuesit e Partisë Demokratike dhe kandidati i PD për bashkinë e Tiranës, Spartak Ngjela, u shprehën se puna e tyre në krye të bashkisë do të përqëndrohej në katër fusha kryesore, ku socialistët nuk kanë rezultate: luftë kundër varfërisë së banorëve të kryeqytetit, ndërtimin e tregjeve, rritje dhe shfrytëzim të kompetencave të pushtetit vendor dhe rimëkëmbjen e jetës kulturore të Tiranës.

Opozita premtoi gjithashtu edhe rritjen e transparencës me përdorimin e fondeve të pushtetit vendor, ndërsa për një kohë të gjatë ka akuzuar bashkiakët socialistë për shpërdorime të fondeve publike gjatë investimeve në infrastrkturë.

//ss//

XS
SM
MD
LG