Lidhje

Shtetet e Bashkuara dënojnë shpërthimin e fundit në Kosovë - 2003-09-02


Shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, zonja Marcie Ries, e dënoi të martën fuqishëm incidentin e fundit në fshatin Cërnicë të komunës së Gjilanit, në Kosovën Lindore, ku dy ditë më parë nga shpërthimi i një bombe dore, u plagosën katër pjestarë të komunitetit serb, njëri nga të cilët vdiq më vonë nga plagët.

Në një komunikatë shtypi të Zyrës Amerikanë në Prishtinë, zonja Ries, citohet të ketë thënë se vrasja e pakuptimtë e Miomir Saviqit në mbrëmjen e së dielës është një tragjedi që paraqet asgjë më pak se një sulm mbi të gjithë njerëzit e mirë dhe të arsyeshëm të Kosovës, prandaj, ajo e dënon këtë akt në mënyrën më të ashpër.

Zonja Ries, thuhet në komunikatë, i shpreh ngushëllimet e thella familjes së zotit Saviq si dhe dëshirën e saj për shërim të plotë dhe të shpejtë të viktimave tjera të këtij akti të tmerrshëm. Ajo bën thirrje që çdo person që ka dijeni lidhur me këtë krim, të ndihmojë policinë në hetimet e saj.

Incidenti i së dielës mbetet ende i pasqaruar, ndërsa zyrtarët e policisë, thanë të martën se ende nuk dihen motivet e as autorët e mundshëm.

Incidenti është dënuar fuqishëm nga zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë dhe vendas të cilët pohojnë se aktet e tilla e dëmtojnë rëndë jo vetëm sigurinë, por edhe imazhin e Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare.

Muaji gusht ishte një nga periudhat më të dhunshme të këtij viti në Kosovë. Tetë veta u vranë dhe rreth 15 të tjerë u plagosën në incidente të armatosura në pjesë të ndryshme të Kosovës. Deri tash të gjitha incidentet kanë mbetur të pasqaruara, ndërsa një pjestar i komunitetit serb ishte arrestuar për vrasjen e një pjestari të policisë së Kombeve të bashkuara në fillim të muajit gusht në pjesën veriore të Kosovës.

Por të martën në mbrëmje u bë e ditur se 21 vjeçari Vladimir Jovanoviç u liruar nga arresti ku ndodhej që nga 19 gushti, tha zëdhënësi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Andrea Angeli. Ai tha se “vlerësimet balistike të armëve që janë gjetur tek ai ishin negative, prandaj ai tash është i lirë, mirëpo, edhe më tej hetimet kundër tij do të vazhdojnë”. //kk//

XS
SM
MD
LG