Lidhje

Shqipëria dënon veprimet ekstremiste në Maqedoni - 2003-09-02


Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu i cilësoi zhvillimet e ditëve të fundit në Maqedoni si veprime ekstremistësh që synojnë të detabilizojnë situatën.

Këto komente kreu i shtetit shqiptar i bëri gjatë një bisede telefonike te kerkuar nga presidenti maqedonas Boris Trajkovski. Zoti Trajkovski është shprehur se qeveria e vendit të tij po përpiqet të normalizojë situatën.

Nga ana e tij Presidenti shqiptar theksoi se ngjarje të tilla nuk kanë dhe nuk do të kenë ndikim në marrëdhëniet midis dy vendeve. Ai shtoi se veprimet e grupeve ekstremiste nuk u shërbejnë shqiptarëve dhe nuk përkrahen prej tyre.

Presidenti Moisiu i kërkoi homologut maqedonas që patrullat e policisë apo të ushtrisë në terren të veprojnë me qetësi dhe në përputhje me ligjin, si dhe të mos frikësojnë popullatën e zonës, pasi në rast të kundërt, sipas tij, ekstremistët do të mund të marrin inkurajim të panevojshëm.

KQZ vështirëson takimin e presidentit Moisiu me partitë politike

Zëvendësimi ose jo i njërit prej anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me mandat të përfunduar rrezikon të shndërrohet në një prej temave më të nxehta të fushatës zgjedhore të saponisur në Shqipëri. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ende nuk e ka bërë ndërrimin në KQZ të zotit Igli Toska, të cilit i ka mbaruar mandati në këtë post qysh prej së paku katër muajsh. Mbledhur disa herë kohët e fundit për cështje të tjera, KLD nuk e ka trajtuar cështjen e zotit Toska, ndonëse postin e tij e ka në kompetencat e veta.

Jozyrtarisht mësohet se vonesa në kryerjen e këtij zëvendësimi në rradhët e KQZ është nja nga pikat kryesore që ka vështirësuar përgatitjet e një takimi që Presidenti Alfred Moisiu pritet të mbajë me partitë politike nga fundi i kësaj jave për zgjedhjet. Këshilltarë të zotit Moisiu nuk pranuan të jepnin siguri për mbarëvajtjen e tryezës me forcat politike dhe rezultatin e saj, duke pohuar se bisedimet në parapërgatitjen e takimit kanë hasur në vështirësi.

Presidenti Moisiu ka programuar një fjalim në Parlament mbi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për Shqipërinë dhe bashkësinë ndërkombëtare, si dhe një takim me partitë politike për t’u kërkuar angazhim maksimal të tyre në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Një zëdhënës i KQZ pohoi se mbarimi i mandatit të zotit Toska është njoftuar publikisht prej shumë kohësh, krahas dy anëtarëve të tjerë. Por ndërsa këta të fundit janë zëvendësuar tashmë nga institucione të tjera, për të tretin KLD nuk po vepron.

Mes kritikave të shumta, partitë e opozitës kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur largimin e këtij anëtari të KQZ, ndërsa partitë e majta nuk kanë shprehur pakënaqësi ndaj punës së tij në këtë institucion. Politikanë të opozitës janë shprehur që, përvec rezervave dhe kritikave që kanë patur ndaj zotit Toska në KQZ për një kohë të gjatë, së paku ai duhet të largohet tani që i ka mbaruar mandati. Sipas tyre, edhe vonesa në zëvendësimin e tij ka arësye politike, ashtu sic ka qenë e njëanshme politikisht veprimtaria e tij në KQZ.

Parlamenti sapo ka kryer një reformë të thellë me ndryshimin e dhjetëra neneve në Kodin Zgjedhor, bazuar mbi rekomandimet e OSBE, ku parashikohet edhe përmirësimi i punës së KQZ. Vëzhguesit e huaj, ekspertë të OSBE-së dhe partitë shqiptare janë shprehur se rritja e besueshmërisë së KQZ do të përmirësojë ndjeshëm procesin e ardhshëm zgjedhor në vend.

//rd//

XS
SM
MD
LG