Lidhje

Ligjvënësit amerikanë kthehen në punë pas pushimireve të muajit gusht - 2003-09-03


Shqetësimi mes ligjvënësve amerikanë lidhur me gjendjen në Irak po shtohet, ndërkohë që shtohet edhe numri i viktimave amerikane në atë vend.

Si demokratët ashtu edhe republikanët po i kërkojnë administratës së presidentit Bush që të kërkojë një rol më të madh të komunitetit ndërkombëtar në vendosjen e qëndrueshmërisë dhe në rindërtimin e Irakut.

Muajin e kaluar, administrata amerikane la të kuptohej se mund të jetë gati të pranojë angazhimin e Kombeve të Bashkuara, por vetëm me kusht që forcat e koalicionit të mbetetn nën kontrollin amerikan.

Një gjë e tillë u prit mirë nga senatori republikan, Arlen Specter, i Pensillvanisë, i cili foli në senatin amerikan.

“U gëzova kur dëgjova se administrata e presidentit Bush dërgoi një sinjal se do të shqyrtonte pjesëmarrjen e Kombeve të Bashkuara në Irak. Formula e saktë nuk u përcaktua, por mendoj se një gjë e tillë mund të arrihet, duke ruajtur komandën ushtarake amerikane.”

Por senatori John Kerry nga Massachusetts, në një fjalim që mbajti në Karolinën e Jugut për të njoftuar zyrtarisht kandidaturën e tij për emërimin e partisë demokrate në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, tha se hapat e administatës janë të vogla e të vonuara. Ai shtoi se politika e presidentit Bush ndaj Irakut ka armiqësuar botën.

“Në arenën ndërkombëtare, George Bushi na ka udhëhequr dhe na ka çorientuar, duke na futur në një kurs në divergjenca me historinë tonë 200 vjeçare. Ai ka shpërdoruar vullnetin e botës pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, ai ka bërë që ne të humbasim respektin dhe ndikimin, që na nevojiten për ta bërë vendin tonë të sigurtë.”

Ligjvënësit amerikanë po vënë gjithashtu në pikpyetje koston e misionit amerikan në Irak, si për sa i përket humbjes së jetës ashtu edhe për sa i përket parave të taksapagusve. Sot atyre do tu jepet mundësia të shprehin shqetësimet e tyre para zyrtarëve të lartë të ushtrisë amerikane gjatë një sesioni me dyer të mbyllura të komisionit të senatit për forcat e armatosura.

Së shpejti pritet që administrata e presiodentit Bush ti kërkojë kongresit fonde shtesë për operacionet ushtarake në Irak deri në fund të vitit financiar, që përfundon më 30 shtator.

Shtetet e Bashkuara po shpenzojnë rreth një miliardë dollarë në javë për operacionet ushtarake në Irak, pa përfshirë këtu fondet për rindërtimin e vendit. Asnjë prej këtyre fondeve nuk janë të përfshira në 13 projekt-ligjet e shpenzimeve, që u janë paraqitur kongresit.

Ligjvënësit shpresojnë të përfundojnë brënda disa javësh punën rreth 13 projekt-ligjeve, të cilat financojnë punën e agjencive qeveritare gjatë vitit të ardhshëm fiskal, që fillon më 1 tetor.

//ze//

XS
SM
MD
LG