Lidhje

Gjemania dhe Franca shprehen kundër rezolutës së OKB-së për Irakun - 2003-09-04


Udhëheqësit e Gjermanisë dhe të Francës kanë kundërshtuar projekt-rezolutën e re të Kombeve të Bashkuara për Irakun, duke thënë se ajo nuk ia transferon pushtetin politik qeverisë irakiane aq shpejt sa duhet. Kancelari i Gjermanisë, Gerhard Schroeder dhe Presidenti i Francës, Jacques Chirac shtuan dje se projekt-rezoluta nuk u jep Kombeve të Bashkuara një rol të madh në Irakun e pas luftës. Ata thonë se shpresojnë se Uashingtoni do të jetë i hapur ndaj ndryshimeve që mund t’i bëhen rezolutës.

Projekt-rezoluta e paraqitur nga Shtetet e Bashkuara bën thirrje për një forcë shumë-kombëshe paqeruajtëve nën “komandën e bashkuar” amerikane. Ajo i bën thirrje gjithashtu Këshillit Qeverisës të emëruar nga Shtetet e Bashkuara që të punojë me zyrtarët amerikanë dhe të Kombeve të Bashkuara për të bërë planet për mbajtjen e zgjedhjeve dhe hartimin e një kushtetute të re të Irakut. Por ajo e lë kontrollin politik dhe ushtarak të Irakut në duart e Shteteve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të mbajë një takim jo zyrtar për diskutimin e kësaj projekt-rezolute sot.

Ky zhvillim vjen ndërkohë që Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, vizitoi dje Irakun për t’u takuar me komandantët dhe trupat amerikane. Ai u tha gazetarëve se do të donte më shumë trupa irakiane dhe ndërkombëtare, dhe jo trupa shtesë amerikane, për të forcuar sigurimin në Irak.//ic//

XS
SM
MD
LG