Lidhje

Vendimi i KLD-së rrit tensionet mes partive në prag të zgjedhjeve - 2003-09-05


Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu i bëri të premten Partisë Socialiste të zbatojë përgjegjësitë e veta si dhe forcave të tjera politike që të punojnë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore. Zoti Moisiu i bëri këto komente në hapje të një tryeze që organizoi me partitë politike për zgjedhjet, gjatë së cilës u diskutua rreth Komisionit Qendror të Zgjhedhjeve dhe zgjedhjes së një anëtari të tij nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

“Ftoj publikisht maxhorancën që të reflektojë për situatën e krijuar dhe t’i përmbahet angazhimeve për të cilat është rënë dakord në marrëveshje midis saj dhe opozitës. Kam besim se në këtë proces do të kemi mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar”, tha Presidenti Moisiu.

Zoti Moisiu tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të jetë i balancuar sipas marrëveshjes së 12 majit, por Këshilli i Lartë i Drejtësisë me vendimin e fundit nuk e kreu këtë balancim, gjë që sipas tij, mund të tensionojë situatën poliike dhe të cënojë procesin zgjedhor.

Forcat politike në takim kanë debatuar gjatë mbi votimin e fundit të KLD-së për një anëtar të KQZ-së. Sekretari i përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi, tha pas takimit se anëtari i zgjedhur dje nga KLD-ja ka kaluar nëpër një procedurë në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor.

“PS nuk është mbi institucionet kushtetuese sic është KLD-ja. Ai është një organizëm kushtetues, është një organizëm i depolitizuar dhe nuk është monopol i asnjë subjekti politik shqiptar”, tha zoti Ruçi.

Opozita e priti me shqetësim vendimin e fundit të KLD-së. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se Presidenti Moisiu po përpiqet të krijojë kushtet e nevojshme për zgjedhje të lira dhe të drejta. Por vendimi i mbrëmshëm në KLD, sipas tij, kishte si qëllim t’i rrëmbente opozitës një anëtar të saj në KQZ, siç është rënë dakord në marrëveshjen pozitë - opozitë dhe me OSBE-në.

“Komuniteti ndërkombëtar është në unison për zbatimin e marrëveshjes dhe konsensusit, nga takimet e deritanishme. Presidenti i Republikës po qëndron fuqishëm me të gjithë prerogativat e tij për zbatimin e marrëveshjes dhe ligjit në përputhje më frymën e marrëveshjes”, tha zoti Berisha.

Takimi i Presidentit me partitë politike, i njoftuar dhe organizuar kohë më parë, u përfshi papritur nga debatet për zhvillimin më të fundit që lidhej me KLD-në.

Ndërkaq, zyra e shtypit e presidencës njoftoi se përfaqësuesit e partive politike pjesëmarrës në tryezën e organizuar nga Presidenti Moisiu miratuan një deklaratë të përbashkët ku angazhohen: të zhvillojnë një fushatë zgjedhore të rregullt brenda normave të etikës politike e civile, të zbatojnë ligjet për një proces zgjedhor të drejtë e të ndershëm, të bashkëpunojnë me policinë dhe drejtësinë gjatë zgjedhjeve, të ndalojnë financimet e paligjshme për fushatë dhe të njohin rezultatin e zgjedhjeve vendore, si dhe institucionet që do të dalin prej tyre.

Ndërsa shefi i Prezencës së OSBE - së në Tiranë, Osmo Lipponen, i ftuar në takim, u angazhua që zyra e tij të hartojë një Kod Etik për këto zgjedhje, dhe shprehu besim për frymën e mirëkuptimit në zgjdhjen e problemeve.//kk//

XS
SM
MD
LG