Lidhje

Shqipëri: Presidenti dhe kryeministri replikojnë pas komenteve mbi KLD-në - 2003-09-07


Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, i kërkoi të dielën kryeministrit Fatos Nano të sqarojë pozicionin e zëvendësministrit të drejtësisë, pasi ky i fundit është shprehur në media për një dorëheqje të presidentit. Zyra e shtypit e presidentit njoftoi se zoti Moisiu është në pritje të qëndrimit zyrtar të kryeministrit Nano rreth mandatit politik të këtij zyrtari dhe përmbajtjes së deklaratës së tij.

Zëvendësministri i drejtësisë, Përparim Sanxhaku, u shpreh në një intervistë televizive, të shtunën se presidenti Moisiu të japë dorëheqjen, nëse e çmon se nuk mund të vazhdojë të punojë në situatën e krijuar, sesa të ndërhyhet e të diktohet në një organ të depolitizuar si Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Sipas deklarimit të cituar nga shtypi, ndërhyrja në organe të tilla është shumë më e dëmshme se dorëheqja e presidentit, duke përsëritur se KLD-ja ka zbatuar ligjin dhe procedurat kur zgjodhi me votim një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbrëmjen e së enjtes.

Ndërsa zëdhënësi i qeverisë në përgjigje të kërkesës së presidentit, deklaroi se komentet e zotit Sanxhaku nuk përbënin qëndrimin zyrtar të kryeministrit Nano dhe të qeverisë. Sipas deklaratës së publikuar nga zëdhënësi Aldrin Dalipi, kryeministri Nano dhe qeveria socialiste janë të angazhuara dhe po punojnë për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të drejta në vend.

Presidenti Moisiu deklaroi në hapje të takimit me partitë politike të premten se balancimi i KQZ është i domosdoshëm në zbatim edhe të një marrëveshjeje mes forcave kryesore politike nën garancinë e OSBE-së. Por KLD-ja, tha ai, nuk e bëri të mundur këtë balancim, çka mund të çojë në tensionim të situatës zgjedhore dhe cënim të procesit zgjedhor.

“Gjej rastin t’u bëj thirrje forcave politike të vendit, institucioneve të shtetit dhe opinionit publik për përgjegjshmëri morale, politike dhe institucionale. Pjesë të rëndësishme të kësaj përgjegjshmërie konsideroj vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta për zbatimin e marrëveshjes, sic është parashikuar në frymën e saj, dhe të ligjit”, tha presidenti Moisiu.

Presidenti i bëri thirrje veçanërisht Partisë Socialiste të reflektojë për zhvillimet e fundit.

“Ftoj publikisht maxhorancën të reflektojë për situatën e krijuar dhe t’u përmabhet angazhimeve për të cilat është rënë dakord midis saj dhe opozitës. Kam besim se në këtë proces do të kemi mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar”, tha Presidenti Moisiu.

Opozita po e përcjell me shqetësim situatën e krijuar nga mbledhja e KLD-së. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqiti po të dielën gazetarëve në konferencë shtypi marrëveshjen origjinale për balancimin e KQZ-së, nënshkruar nga bashkëkryetarët e komisionit dypalësh - Ethem Ruka i Partisë Socialistë, Jemin Gjana i Partisë Demokratike, dhe nga ambasadori Osmo Liponen që drejton zyrën e OSBE-së në Tiranë.

Po ashtu ai lexoi edhe nenet e Kodit Zgjedhor ku ishte përfshirë kjo marrëveshje. Zoti Berisha fajësoi zotin Nano për situatën e krijuar nga KLD.

“Zgjidhjen ta gjejë ai që e bëri këtë (Nano), por unë e paralajmëroj se do të përballet me pasojat më serioze dhe më të paparashikuara për të. Të zgjidhë fëlliqësinë që ka bërë, aktin e turpshëm, dhe të mos e zgjasë shumë çështjen. Ka ikur koha kur një njeri i papërgjegjshëm dhe i inkriminuar, një padrino i vërtetë, të nëpërkëmbë ligjet dhe interesat e këtij vendi”, tha zoti Berisha.

KLD-ja zgjodhi për anëtar të KQZ një person të propozuar nga PS, ndërsa opozita priste që të zgjidhej një kandidat i propozuar nga PD, për të kryer balancimin e parashikuar në marrëveshje. Ngjarja ka tensionuar mjaft jetën politike në vend.//kk//

XS
SM
MD
LG