Lidhje

Presidenti Bush i kërkon Kongresit të miratojë me shpejtësi 87 miliardë dollarët për Irakun dhe Afganistanin - 2003-09-09


Një ditë pasi bëri të ditur propozimin për 87 miliardë dollarë, presidenti Bush u nis për udhëtim. Ai i largua nga Washingtoni për në Nashville të shtetit Tennessee për të mbajtur një fjalim mbi arsimin dhe për të grumbulluar fonde për fushatën e tij për t’u rizgjedhur si president. Por ishte qartë se lufta kundër terrorizmit vazhdonte të mbante të mbërthyer vëmendjen e tij.

”Lufta jonë kundër terrorit vazhdon. Armiqtë e lirisë nuk pushojnë. Po kështu edhe Amerika”, tha Presidenti Bush.

Në komentet para një grumbulli të flaktë përkrahësish gjatë një darke në kuadër të fushatës për grumbullim fondesh, presidenti foli mbi përgjegjësitë që u dalin Shteteve të Bashkuara. Ai nuk përmendi drejtpërdrejtë kërkesën për shpenzime urgjente, por preferoi të fliste në përgjithësi për sfidat që i dalin përpara Amerikës.

”Ky vend nuk do të pushojë. Ne, tha ai, nuk do të lodhemi. Nuk do të ndalemi derisa ky rrezik ndaj qytetërimit të jetë eleminuar”, tha Presidenti Bush.

Parmbrëmë, duke iu drejtuar vendit, presidenti tha se do të bëjë ç’të jetë e nevojshme dhe do të shpenzojë sa të duhet në Irak e Afganistan për ta fituar luftën kundër terrorizmit. Pjesa më e madhe e 87 miliardë dollarëve do të përdoret për operacione ushtarake, ndërkohë që pjesa tjetër do të shkojë për projekte në fushën e rindërtimit.

Shifra e kërkuar është rreth dyfishi i asaj që pritej në Kongresin amerikan. E ndërsa kongresi pritet ta miratojë këtë kërkesë, vihen tashmë re shenja për debate të ashpra në të ardhmen.

Demokratët po shprehen se dëshërojnë një llogari të hollësishme për çdo dollar që kërkohet. Disa shqetësohen rreth ndikimit që do të kenë të gjitha këto shpenzime në deficitin e buxhetit federal.

Administrata e Presidentit Bush e pranon se kërkesa për shpenzime emergjente prej 87 miliardë dollarësh do ta rrisë deficitin buxhetor në vitin e ardhshëm financiar, i cili fillon me 1 tetor. Megjithatë një zyrtar i lartë i administratës e nënvleftëson efektin afatgjatë të këtyre shpenzimeve mbi ekonominë.

Zyrtari, i cili foli me kusht që të mbetej anonim, thotë se deficiti do të rritet vitin e ardhshëm nga 475 miliardë në të paktën 525 miliardë dollarë për shkak të shpenzimeve në luftën kundër terrorizmit. Mirëpo, ai shton se kjo rritje është e përballueshme. Ai u tha gazetarëve se nuk do të nevojiten shkurtime në programe të tjera qeveritare për kompensimin e shpenzimeve emergjente dhe se nuk do të ketë ngritje taksash.

//ze//

XS
SM
MD
LG