Lidhje

Sigurimi i Amerikës, dy vjet pas 11 shtatorit - 2003-09-10


Peisazhi i Amerikës ndryshoi përgjithmonë pas sulmeve të 11 shtatorit dy vjet më parë, kur 19 terroristë përplasën avionët mbi kullat binjake dhe mbi Pentagon duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 3 mijë personave. Sistemi i sigurimit kombëtar amerikan u trondit. Por dy vitet e fundit, qeveria dhe agjencitë e antikrimit i kanë shtuar në mënyrë dramatike masat për sigurimin e vendit dhe kanë arrestuar një numër personash të dyshuar si terroristë të al-Qaidës që mund të kenë lidhje me 11 shtatorin.

11 shtator, 2001 - një ditë kur siguria e Amerikës u trondit rëndë. Brenda pak minutash, ushtria u vu në gatishmëri të lartë. Avionët reaktivë filluan të patrullojnë qiejt mbi qytetet amerikane. Sulmi shënoi fillimin e luftës së SHBA kundër terrorit dhe shërbeu si nxitje për të ndërmarrë masa të papara që synonin mbrojtjen e vendit nga sulme të tjera terroriste. Papritur, ndryshuan edhe përparësitë politike të Presidentit Bush:

"Siguria e njerëzve tanë, siguria e popullit amerikan ështëpër mua një shqetësim me rëndësi të dorës së parë. Duke patur një koalicion të gjerë, ne po ndërmarrim dhe do të vazhdojmë të ndërmarrim veprime kudo në botë, do të vazhdojmë të jemi në ofensivë kundër vrasësve terroristë. Vendi ynë do të fitojë," tha Presidenti Bush.

Këto dy vitet e fundit, administrata e Presidentit Bush dhe anëtarët e Kongresit kanë miratuar ligje që synojnë të mbrojnë vendin dhe t’u japin agjencive të antikrimit më shumë mjete për të luftuar terrorizmin.

U krijua një departament i veçantë për sigurinë kombëtare, i cili bashkoi në një të vetme 22 agjenci federale për të parandaluar sulmet terroriste si dhe për t’ju kundërpërgjigjur më mirë atyre. Me një buxhet prej 30 miliard dollarësh dhe 180 mijë punonjës, kjo agjenci qendron tani në qendër të përpjekjeve për mbrojtjen e Amerikës. Drejtori i Departamentit për Sigurinë Kombëtare, Tom Ridge, thotë se vendi është tani më i sigurt se sa dy vjet më parë.

"Në këto 8 muaj që nga ngritja e departamentit, ne kemi hedhur hapa të rëndësishëm drejt krijimit të strukturave të nevojshme për sigurinë e vendit që e kanë bërë Amerikën më të sigurt", thotë zoti Ridge.

Një nga sfidat më të mëdha ishte rritja dramatike e masave të sigurisë në aeroportet e vendit dhe në aeroplanët e udhëtarëve. Qeveria mori në punë mijra njerëz për kontrollin e bagazheve dhe të udhëtarëve. Qindra punonjës federalë u stërvitën për të qendruar të armatosur nëpër avionë me qëllim që të parandalohen rrëmbimet e tyre.

Përveç këtyre masave, u krijuan patrulla të tjera bregdetare për të ruajtur portet dhe për të vëzhguar anijet në ujrat territoriale amerikane. U ngrit një sistem kombëtar që paralajmëron agjencitë e antikrimit dhe publikun amerikan për kërcënimet e mundëshme ndaj SHBA. U forcuan masat e sigurimit në objektet që mund të viheshin në shënjestër të terroristëve siç janë ndërtesat federale kudo në vend.

Anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve Eleanor Holmes-Norton është njëkohësisht anëtare e komisionit të Dhomës për Sigurimin Kombëtar.

"Jam përpjekur të luftoj çdo përpjekje që përpiqet ta bëjë Uashingtonin si një qytet të paralizuar. Për mua është shumë e qartë se ky është qyteti më i sigurt i vendit sepse ka më shumë masa sigurie se çdo qytet tjetër i SHBA," thotë zonja Norton.

Por disa analistë thonë se jashtë Uashingtonit duhet të bëhet më shumë për të mbrojtur portet dhe kufijtë e vendit. Jeff Stein, redaktor për çështjet e sigurimit kombëtar në gazetën Congressional Quarterly që botohet në Washington, thotë:

" Javën e kaluar botuam një artikull ku tregonim se sa i hapur është kufiri me Kanadanë. Nëpër rrugët e fshtrave rojet e përgjumura vështirë se mund t’i ruajnë rrugët gjatë natës. Prandaj mendoj se terroristët gjithnjë kanë avantazhin që të godasin sa herë që të duan dhe me mjetet që duan," thotë zoti Stein.

Zyrtarët e Departamentit të Sigurimit Kombëtar thonë se i kanë forcuar masat mbrojtëse përgjatë kufirit me Kanadanë dhe me Meksikën. Ata e pranojnë se ende ekziston mundësia që terroristët të depërtojnë në vend. Por ata thonë se kjo mundësi është pakësuar për shkak të masave që kanë marrë agjenci të tilla si FBI-ja. Agjentët e saj i kanë shtuar përpjekjet për ndjekjen dhe kapjen e anëtarëve të rrjetit terrorist al-Qaeda.

SHBA mbajnë të arrestuar 3 persona që dyshohen se kanë marrë pjesë në planifikimin e sulmeve të 11 shtatorit. Ata janë Khalid Sheik Mohammed, Zackaray Moussaoui and Ramzi-bin Al-Shibh, që sipas zyrtarëve, kanë ndihmuar financimin e sulmeve. Deri tani, asnjëri prej këtyre personave nuk është gjykuar.

Jack Spencer, analist pranë Fondacionit Heritage, thotë se arrestimi i figurave kryesore të al-Qaidës dhe shkatërrimi i rrjetit të tyre ka dhënë rezultate.

"Mendoj se suksesi më i madh ka qenë se që nga ajo ditë vendi nuk i është nënshtruar ndonjë sulmi tjetër të madh terrorist. Administrata si dhe populli amerikan tani e kuptojnë se vendi nuk është aq i paprekshëm sa besonin njerëzit pas luftës së ftohtë dhe se pikpamja për sigurimin kombëtar ka ndryshuar."

Në muajt pas 11 shtatorit, Kongresi amerikan miratoi Ligjin Patriot, i cili u jep agjencive të antikrimit fuqi më të mëdha për të goditur terroristët.

Ligji i jep policisë më shumë kompetenca dhe hapësirë për të përgjuar telefonat si dhe mjete të tjera. Ai i jep policisë kompetencën për të kontrolluar fshehtazi pronën e personave të dyshuar përpara se ata të njoftohen për vendimin e gjykatës që urdhëron një kontroll të tillë.

Kritikët thonë se disa paragrafe të këtij ligji shkelin liritë e qytarëve të përcaktuara me kushtetutë. Ligji Patriot është kritikuar edhe nga qeveritë lokale. 150 qytete në 3 shtete të Amerikës e kanë ndaluar një ligj të tillë. Gjithashtu, ligji do të rishqyrtohet nga Kongresi dhe ka mundësi të përballet me kundërshtimin e gjykatave.

Zyrtari më i lartë i drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm John Ashcroft, po përpiqet tani të sigurojë mbështetjen e publikut për një ligj të tillë.

"Ligji Patriot nxit punën kolektive në të gjitha nivelet e antikrimit dhe të veprimtarisë së zbulimit. Pengimi i një bashkëpounimi të tillë kundër terroristëve do të thotë ta bësh vendin më të zbuluar ndaj sulmeve. Kjo do të ishte në kundërshtim me mësimet e 11 shtatorit," thotë zoti Ashcroft.

Zyrtarët qeveritarë thonë se shtimi i masave të sigurimit kombëtar ka bërë që të thyhen me sukses komplotet terroriste dhe të parandalohet një sulm tjetër i përmasave të mëdha. Por ata e pranojnë se vendi është ende i zbuluar ndaj sulmeve të tilla dhe thonë se si qeveria edhe njerëzit duhet që të jenë vazhdimisht vigjilentë për mbrojtjen e vendit.

//rd//

XS
SM
MD
LG