Lidhje

Reagime të ligjvënësve amerikanë ndaj kërkesës së presidentit për fonde shtesë - 2003-09-10


Në fjalimin e tij drejtuar vendit, të dielën e kaluar, presidenti Bush tha se Iraku do të mbetet fronti i parë në luftën kundër terrorizmit dhe i kërkoi Kongresit miratimin e 87 miliardë dollarëve si fonde shtesë, krahas fondit prej 80 miliardë dollarësh të miratuar në fillim të këtij viti. Por një pjesë e ligjvënësve amerikanë e venë në pikëpyetje kërkesën e presidentit Bush për fonde shtesë për stabilizimin dhe rindërtimin e Irakut. Këto ditë në Washington janë zhvilluar një sërë takimesh ku ligjvënësit republikanë dhe demokratë kanë shprehur pikëpamjet e tyre lidhur me kërkesën e Presidentit.

Në një seancë me pyetje-përgjigje që u zhvillua dje në Senat, Zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes Paul Wolfowitz e mbështeti kërkesën e Presidentit për fondin shtesë prej 87 miliardë dollarësh për vazhdimin e operacioneve në Irak dhe Afganistan dhe rindërtimin e këtyre vendeve.

Zoti Wolfowitz tha se fondet shtesë nevojiten për të shtypur rezistencën e armatosur të terroristëve dhe përkrahësve të regjimit të përmbysur të Sadam Husseinit.

Zyrtarët ushtarakë, të cilët dëshmuan në Senat, gjithashtu pranuan nevojën e një numri më të madh trupash, për të ndihmuar në stabilizmin e gjendjes në Irak. Por, ata bënë thirrje për dërgimin e një numri më të madh trupash ndërkombëtare, dhe jo amerikane, derisa në momentin kur forcat irakiane të sigurimit të jenë të gatshme për të marrë përsipër detyrat paqeruajtëse.

Kongresi i Shteteve të Bashkuara tashmë ka miratuar shumën prej 79 miliardë dollarë fondeve për këtë verë, për operacionet amerikane në Irak.

Por senatorët demokratë thanë se kërkesa e fundit e administrates dëshmon se presidenti Bush i kishte bërë gabim llogaritë për koston dhe përmasat në rritje të konfliktit në Irak.

Senatori demokrat Ted Kennedy i Massachussetsit tha se Kongresi nuk do të shkruajë ”çekun e bardhë” për administratën, pa u njohur më parë me informacionet e nevojshme lidhur me kohëzgjatjen e qëndrimit të trupave amerikane në Irak.

Zyrtarët e administratës, krahas me shumicën e senatorëve republikanë e pëkrahën kërkesën e administratës për buxhetin.

Ndërsa senatori republikan i Arizonës, John McCain, tha se administrata e presidentit Bush i ka nënvlerësuar përmasat e operacionit në Irak dhe bëri thirrje për dërgimin atje të një numri më të madh trupash amerikane, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Po dje, në Qendrën Kombëtare të Shtypit, senatori demokrat Joseph Biden foli lidhur me sfidat, me të cilat po përballen Shtetet e Bashkuara.

Në fjalimin e tij ”Drejt një politike të jashtme demokratike”, senatori demokrat Joseph Biden mbajti një qëndrim kritik ndaj disa aspekteve të politikës së jashtme amerikane, si dhe trajtimit të çështjes së sigurimit kombëtar nga ana e administratës aktuale amerikane. Cilat ishin disa nga propozimet e senatorit Biden?

Senatori Biden tha se politika e Shteteve të Bashkuara nuk duhet bazuar në rrymat ektremiste, që kanë të bëjnë nga një anë, me mohimin e faktorit ndërkombëtar dhe në anën tjetër, me mohimin e intersave kombëtare amerikane. Politika e jashtme amerikane, tha ai, duhte të bazohet në nacionalizmin e moderuar.

Për këtë, tha senatori Biden tha se është e nevojshme që adminsitrat të flasë hapur me popullin amerikan, për t’i spjeguar atij përse është e nevojshme të vazhdohet rruga e nisur në Irak dhe Afganistan,përse është e rëndësishme të arrihet suksesi dhe se nuk bëhet fjalë për dështim; t’i tregohet popullit amerikan se për të arritur sukes në këtë luftë, nevojitet kohë dhe miliarda dollarë.

Senatori Biden tha se nevojitet të vendoset një ekuilibër midis fillimit të operacioneve dhe këmbënguljes për t’i çuar ato deri në fund. Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara duhet t’i kushtojnë më tepër rëndësi bashkëpunimit me vendet e tjera të botës. Mund të ketë raste, tha ai, kur siguria jonë do të vihet në rrezik, kur ne kemi të drejtë dhe pjesa tjetër e botës janë gabim. Vetëm në këto raste, tha ai, ne duhet të veprojmë të vetëm.

Senatori Biden tha se kërcënimi më urgjent me të cilin përballen Shtetet e Bashkuara, është terrorizmi. Por në se duam ta fitojmë këtë luftë në të ardhmen, tha ai, do të na duhet të përballemi me kërcënimin e armëve të shkatërrimit në masë, krimit ndërkombëtar dhe trafikut të drogave, luftrat etnike, sëmundjet infektive, ndotjen e mjedisit, varfërinë. Fitorja ndaj këtyre sfidave, tha senatori Biden, mund të arrihet duke zbatuar një politikë të jashtme të bazuar në nacionalizmin e moderuar, prandaj, ne ligjvënësit amerikanë, tha ai, duhet të tregojmë mençurinë e duhur për realizimin e saj.

XS
SM
MD
LG