Lidhje

Përkujtohet përvjetori i dytë i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 - 2003-09-11


Do të jetë një ditë ku do të përkujtohen viktimat dhe ngjarjet e një mëngjesi shtatori i cili lindi i pastër dhe i kthjellët. Atë ditë, katër aeroplanë të rrëmbyerr goditën dy ndërtesat më të larta në qytetin e New Yorkut dhe Pentagonin. Aeroplani i katërt ra në një fushë në shtetin Pensilvania. Rreth 3000 njerëz vdiqën duke gdhendur në kujtesën e popullit amerikan pamjet e ndërtesave të rrezuara, zërat dhe britmat e burrave, grave e fëmijëve, si dhe një masë të dendur shkrumbi dhe vdekje.

“Kujtimet e 11 shtatorit, nuk do të harrohen kurrë. Ne nuk do të harrojmë kurrë kullat që digjeshin dhe thirjet e fundit telefonike që bënin njerëzit nga to. Ne nuk do të harrojmë kurrë tymin mbi qytetin e Arlingtonit”.

Në prak të dyvjetorit të sulmeve të 11 shtatorit, presidenti Bush foli për ditën e cila e ndryshoi Amerikën. Ai foli për familjet e mbetura pa të afërmit, për ekipet e shpëtimit, si dhe për terroristët e pamëshirshëm.

“Dhe ne nuk do të harrojmë kurrë shërbëtorët e së keqës të cilët organizuan këto sulme. Por ne nuk do të harrojmë kurrë edhe ata që na u bashkangjitën në dhimbjen dhe pikëllimin tonë”

Presidenti mbajti një fjalim të mërkurën në qendrën stërvitore të FBI-së në Quantico të shtetit të Virginias e cila gjendet afër Washingtonit. Pasi u kthye në Shtëpinë e Bardhë ai ishte mikpritës i mysafirëve në shikimin e një dokumentari të kullave binjake të shkatërruara. Ai ka thënë se sot, gjatë ceremonive përkujtimore do të qëndrojë në Washington për t’ua lënë vëmendjen e mediave familjeve të viktimave.

Presidenti Bush do të udhëheqë një shërbim lutjesh dhe një moment heshtjeje saktësisht në orën 8:46, kohë kur aeroplani i parë goditi kullën veriore të qendrës botërore të tregtisë. Pasdite ai do të shkojë në një vizitë private në një spital ushtarak në Washington për të takuar ushtarët e plagosur në Irak dhe në Afganistan.

Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, do të marrë pjesë në disa cerremoni përkujtimore në varrezat kombëtare të Arlingtonit dhe në Pentagon. Zëvëndës presidenti Dick Cheney do ta përfaqësojë Shtëpinë e Bardhë në ceremonitë e New Yorkut. Me kërkesë të zyrtarëve lokalë të New Yorkut, zoti Cheney nuk do të marrë pjesë në ceremoninë që do të mbahet në vendin ku dikur qendronin Kullat Bunjake, sepse sipas tyre, masat e forta të sigurimit për zëvëndës presidentin, do të krijonte një mjedis jo të rehatshëm për familjet e viktimave të 11 shtatorit.

//ic//

XS
SM
MD
LG