Lidhje

11 shtatori u përkujtua edhe në Shqipëri - 2003-09-11


Shqipëria dhe SHBA do të vazhdojnë më tej bashkëpunimin për të luftuar terrorizmin ndërkombëtar. Kështu deklaroi sot Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, gjatë një ceremonie ushtarake pranë një reparti komando ku po zhvillohet një stërvitje e përbashkët shqiptaro-amerikane. Presidenti Moisiu, ministri i mbrojtjes, Pandeli Majko dhe ambasadori i SHBA në Tiranë, Xhejms Xhefri, zgjodhën mjediset e stërvitjes për të përkujtuar tragjedinë e 11 shtatorit dhe për të dëshmuar bashkëpunimin shqiptaro-amerikan kundër terrorizmit.

Zoti Moisiu tha se edhe një kontigjent i dytë i ushtrisë shqiptare po përgatitet të shkojë në Irak. "Shqipëria do të vazhdojë të jetë e angazhuar dhe do të përfaqësohet dhe në misione të tjera paqeruajtëse, duke treguar vendosmëri dhe gadishmëri për të kontribuar në rritjen e sigurisë dhe të paqes në botë" - tha zoti Moisiu.

Ndërsa ambasadori i SHBA në Tiranë, Xhejms Xhefri, tha para ushtarakëve të dy vendeve se 11 shtatori i sulmeve terroriste është një ditë e vecantë për të gjithë që na kujton se kjo është lufta më e rrezikshme që nga Lufta e dytë Botërore, ku kërcënohen paqa, stabiliteti dhe qytetërimi. "Asnjë vend nuk ka shfaqur një mbështetje më të madhe se Shqipëria ndaj SHBA" - tha amb.Xhefri, duke vlerësuar udhëheqjen e presidentit Moisiu dhe ministrit Majko. "Suksesi në luftën kundër terrorizmit varet nga forcimi i koalicioneve ndërkombëtare, njerëzve që duan paqen dhe që janë gati të luftojnë për ta ruajtur atë" - tha ambasadori amerikan, Xhefri.

Stërvitja shqiptaro-amerikane "Albanian JCT" ka filluar në ditët e para të shtatorit me synimin për të shkëmbyer përvojë mes trupave speciale në veprime paqeruajtëse dhe antiterroriste.

//rd//

XS
SM
MD
LG