Lidhje

Amerika dhe terrorizmi - 2003-09-12


Një profesor i Universitetit Amerikan në Uashington thotë se lufta kundër terrorizmit i ngjan Luftë së Ftohtë. Profesor Allan Lichtman thotë se edhe nëse kapet Osama bin Ladeni apo Saddam Husseini, kjo luftë nuk do të marrë fund, pasi ideologjia mbi të cilën mbështet ajo është shumë e fuqishme. Profesorin Lichtman e intervistoi korrespondenti i Zërit të Amerikës, David Borgida.

D. BORGIDA: Departamenti i Shtetit paralajmëroi se kundër interesave amerikane në botë mund të ndërmerren sulme të reja. A duhet të na kujtojë kjo se kemi hyrë në një tjetër Luftë të Ftohtë, nëse mund të shprehemi kështu?

PROF. LICHTMAN Nuk ka diskutim se Amerika sot nuk është më e paprekëshme. Sulmi japonez në Pearl Harbor në vitin 1941 i dha fund izolimit të Amerikës. Pas kësaj, ne na u desh të angazhoheshim në punët e botës. Në një farë kuptimi, 11 shtatori ishte i ngjashëm me këtë, sepse ai i dha fund idesë se Amerika është e paprekëshme, idesë se ne jemi të sigurt pavarësisht nga rreziqet në botë. Tani kjo ka marrë fund dhe ne kemi hyrë në një epokë tjetër. Dhe, ashtu siç filloi Lufta e Ftohtë pas Luftës së Dytë Botërore, Presidenti Bush ka shpallur tani një tjetër Luftë të Ftohtë. Pra ne kemi tani një armik tjetër. Ashtu si komunizmi ekstrem, terrorizmi nuk kufizohet në një shtet të vetëm, ai nuk njeh kufij. Ai ka një ideologji ekstreme që tërheq shumë njerëz të varfër në botë. Presidenti Bush ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të paguajnë çdo çmim për ta luftuar atë. Shumë nga tiparet e kësaj lufte të re të ftohtë i ngjajnë Luftës së Ftohtë të mëparshme. Nëse nuk e luftojmë terrorizmin në Irak, na thotë Presidenti, terrorizmi do të na vijë në shtëpi dhe do të na duhet ta luftojmë në vendin tonë. Ashtu siç thuhej gjatë kohës së Vietnamit: nëse nuk e luftojmë komunizmin në Azi, ai do të na vijë tek dera e shtëpisë. Kjo është diçka serioze dhe kërkon një angazhim të jashtëzakonshëm financiar dhe njerëzor për Amerikën. Dhe natyrisht kjo luftë ka rrjedhoja për njerëzit kudo në botë. Sepse nuk duhet harruar, gjatë luftës së ftohtë, në shumë pjesë të botës zhvillohej edhe një luftë e nxehtë.

D. BORGIDA: A mendoni profesor se, nëse Osama bin Laden kapet ose nëse Saddam Husseini kapet, atëhere ideja se Amerika është e prekshme do të zbehet deri diku? Apo mendoni se edhe nëse kapen, ata mund të zëvendësohen nga njerëz të tjerë, nga pasuesit e tyre?

PROF. LICHTMAN Dy gjëra duhen patur parasysh. Më bëri përshtypje se në fjalimin që presidenti Bush i drejtoi vendit këto ditë ne nuk dëgjuam të përmendej Osama bin Ladeni ose Saddam Huseini. Unë nuk besoj se kjo Luftë e Ftohtë e re do të përfundojë edhe nëse nesër se i kapim të dy ata. Ashtu si vdekja e Stalinit, diktatorit të tmerrshëm sovjetik në vitet 50 nuk i dha fund Luftës së Ftohtë, unë nuk mendoj se kjo Luftë e Ftohtë e re, kjo luftë kundër terrorit do të marrë fund thjesht sepse do të nxirren nga loja disa nga aktorët e saj kryesorë, pasi ajo mbështet nga një ideologji shumë e fuqishme. Së dyti, nëse nuk ndërmerren reforma në të gjithë botën, ashtu siç e pamë gjatë Luftës së Ftohtë, unë nuk mendoj se kjo do të marrë fund shpejt.

D. BORGIDA: Ju jepni mësim në një universitet të Uashingtonit dhe ju flisni çdo ditë me të rinjtë. A mund të na jepni një ide se si e shohin ata momentin në të cilin jetojmë. A e shohin me një farë frike apo nuk duan t’ia dinë dhe vazhdojnë jetën e tyre. Çfarë mendojnë të rinjtë në një periudhë të tillë?

PROF. LICHTMAN Mendoj se kemi të bëjmë me një paradoks. Të dyja ato që thatë janë të vërteta. Ata jetojnë ashtu siç jetojnë gjithmonë të rinjtë edhe në momente tragjedish dhe vështirësish. Por nga ana tjetër shumë studentë e kuptojnë që vendi nuk është më i paprekshëm. Universiteti Amerikan ku unë jap mësim është një qendër e rëndësishme e mësimdhënies por gjithnjë ka qenë edhe një qendër e protestës politike. Në kampusin tonë ka patur shumë pikpamje kundër politikave të asministratës së tanishme, pikpamje që natyrisht shfaqen edhe midis popullatës amerikane në të gjithë spektrin e saj. Shkalla e miratimit të politikave të presidentit Bush midisd amerikanëve ka rënë tani në 52 përqind, aq sa ishte para 11 shtatorit 2001. Ndërsa numri i atyre që janë për rizgjedhjen e tij është nën 50 përqind. Dukej se presidenti kishte një rast të mirë për të vënë vulën e tij në histori dhe për të gjetur një mision historik, por, tani ashtu siç ndodhi me Luftën e Ftohtë, situata është bërë shumë e paqartë dhe e vështirë.

D. BORGIDA: Meqenëse ju vetë e ngritën çështjen e dinamikës politike brenda vendit. Le të flasim pak për këtë profesor Lichtman. Ju keni të drejtë, dukej sikur kjo do të ishte çështja më e rëndësishme në programin e Presidentit Bush kur ajo doli në sipërfaqe, por tani duket se është bërë një pikë e dobët politike për të.

PROF. LICHTMAN Ajo është kthyer në një pikë të dobët politike. Amerikanët janë shumë pragmatikë. Ata pyesin: Çfarë ke bërë ti për mua kohët e fundit? Në kohën kur dukej se Presidenti po i bënte ballë me sukses të keqes dhe po e mbronte vendin nga terrori, mbështetja ndaj tij arriti nivele të larta. Tani, duket se ne kemi ngecur në Irak dhe jemi bërë më të prekshëm se kurrë nga terrorizmi ndërkombëtar, po hyjmë në deficite që nuk i përballojmë dot, situata politike është e paqendrueshme dhe papritur shohim që demokratët, të cilët më parë dukeshin pa shpresë tani kanë shpresë të konkurrojnë për postin e presidentit.//ii

XS
SM
MD
LG