Lidhje

Moisiu: zgjedhjet vendore, karta e Shqipërisë për në Evropë - 2003-09-15


Në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në 13 vitet e fundit në Shqipëri, policia shqiptare është kritikuar për përfshirjen e saj në favor të partisë në pushtet. Ashtu si në fjalimet e mëparëshme edhe sot në një takim me drejtuesit më të lartë të rendit, në prani edhe të prokurorit të përgjithshëm, presidenti i Republikës, Alfred Moisiu kërkoi me ngulm që njerëzit me uniforma të mos bëhen pjesë e procesit të votimit duke marrë anën e partive politike.

Bindjen e tyre, oficerët, nënoficerët apo policët e thjeshtë duhet ta tregojnë vetëm në kutinë e votimit, është shprehur presidenti Moisiu, duke saktësuar se ata nuk kanë aspak të drejtë që gjatë zbatimit të detyrës të manifestojnë qoftë edhe shenjën më të vogël të bindjeve të tyre.

Kreu i shtetit u ka kërkuar drejtuesve të rendit që ky mesazh tu përcillet të gjithë punonjësve të policisë. “Ata duhet të bëhen të ndërgjegjshëm për misionin që do të kryejnë, për përgjegjësinë që do të kenë dhe të kuptojnë se policia e shtetit shqiptar nuk do të lejojë përsëritjen e veprimeve të së kaluarës”, është shprehur presidenti Moisiu. Ai ka deklaruar se duhet forcuar bindja në popull, tek opinioni publik, tek media dhe opinioni ndërkombëtar se policia shqiptare është tërësisht e depolitizuar dhe e pavarur. Ajo varet vetëm nga ligji dhe kushtetuta. Presidenti ka thënë më tej se ai do të zhvillojë takime edhe me punonjësit e shërbimeve sekrete, prokurorët dhe prefektët që siç ka saktësuar ai të bëhet e qartë se nuk mund të lejohet më nga kushdoqoftë të nëpërkëmbet e ardhmja e vendit. Si president por edhe për policinë, është shprehur kreu i shtetit, në asnjë moment nuk ka asnjë rëndësi se kush fiton. Ajo që më intereson ka deklaruar presidenti Moisiu, është Shqipëria e cila ndodhet përballë një provimi të vështirë.

Edhe më parë, kreu i shtetit ka përsëritur disa herë se zgjedhjet për pushtetin vendor do të ndikojnë seriozisht në integrimin e vendit drejt Evropës.

//rd//

XS
SM
MD
LG