Lidhje

Në Irak vritet edhe një ushtar tjetër amerikan - 2003-09-15


Zyrtarët amerikanë thanë se një ushtar tjetër amerikan u vra në Irak, i dyti që nga fillimi i vizitës dy ditëshe të sekretarit amerikan të shtetit Colin Powell në këtë vend.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se një ushtar i Divizionit të Parë të Blinduar vdiq dje pasi njësia e tij u godit me granatë në Bagdat. Një sulm i ngjashëm të dielën në qytetin Fallujah në perëndim të Bagdadit, la një ushtar të vdekur.

Më në perëndim, në qytetin Kaldia, një grup personash të armatosur vranë dje shefin e policisë së qytetit dhe plagosën të paktën dy policë.

Ndërsa gueriljet vazhduan sulmet kundër koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, Sekretari Powell mori pjesë në përurimin e një monumenti kushtuar 5 mijë kurdëve, që u vranë me gaz helmues nga forcat e Saddam Husseinit në vitin 1988. Në një varrezë ku janë varrosur viktimat, sekretari Powell tha se bota duhet të kishte vepruar më herët ndaj Saddam Husseinit.

Pas vizitës në Irakun verior, Sekretari Powell shkoi në Kuvajt. Duke folur në Kuvajt, sekretari Powell tha se Shtetet e Bashkuara duan që trupat turke të bashkohen me një forcë shumë kombëshe në Irak. Ai shtoi se shpreson që të kapërcehen kundërshtimet e politikanëve kurdë.

//ze//

XS
SM
MD
LG