Lidhje

Këshilli i Sigurimit të OKB-së shqyrton rezolutën për Izraelin - 2003-09-15


I dërguari i lartë i Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Terje Roed-Larsen, tha se procesi i paqes mes Izraelit dhe palestinezëve ndodhet në një udhëkryq dhe ai ka frikë se në të ardhmen do të ketë gjakderdhje më e rëndë.

Zoti Roed-Larsen i tha dje Këshillit të Sigurimit të OKB-së se procesi i zbatimit të planit të paqes, i njohur edhe si Harta Rrugore, duhet të intensifikohet si pasojë e shtimit të ndjeshëm kohët e fundit të dhunës izraelito-palestineze. Ai tha se mund të duhet të merren masa konkrete lidhur me sigurimin dhe vend-banimet hebraike në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës.

I dërguari i lartë i OKB-së reagoi gjithashtu ndaj vendimit të Izraelit për të hequr nga pushteti presidentin palestinez, Jaser Arafat. Ai tha se zoti Arafat është udhëheqësi legjitim dhe i zgjedhur në mënyrë demokratike i popullit palestinez dhe nuk mund të nxirret jashtë loje.

Vendet arabe kanë propozuar një rezolutë në Kombet e Bashkuara, në të cilën kërkojnë që Izraeli të tërheqë kërcënimin për largimin nga pushteti të zotit Arafat.

Izraeli ka mbajtur qëndrim mospërfillës ndaj kritikave ndërkombëtare lidhur me deklaratën e qeverisë javën e kaluar, se zoti Arafat përbën pengesë për paqen dhe do të heqet nga pushteti.

Ndërkaq, zyrtarë amerikanë thanë se Washingtoni mund të mbajë një pjesë të paketës së ndihmave prej 9 miliardë dollarësh për Izraelin për shkak të veprimtarive në vend-banimet hebraike. Zyrtarët thanë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë vendosur ende në se do të zbresin fonde për ndërtimin nga Izraeli të një muri sigurimi midis Izraelit dhe Bregut Perëndimor.

//ze//

XS
SM
MD
LG